Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Vicente Canelles Montero i ka drejtuar një apel politikës shqiptare që të zgjidhin sa më parë krizën në vend për shkak se ajo ndikon në rrugën drejt integrimit në BE.
Ai e ka bërë këtë koment për mediat lokale në Korçë ku ka zhvilluar një vizitë.
Montero është shprehur se Shqipëria duhet të zgjidhë problemet për të vijuar rrugën e saj drejt BE ndërsa e ka bërë të qartë se ambasadorët janë në Shqipëri për të monitoruar situatën dhe jo për të dhënë zgjidhje.
Ai tha se në Spanjë krizat zgjidhet përmes dialogut duke ia këshilliar këtë zgjidhje edhe politikanëve shqiptarë.
“Kriza politike komplikon rrugën për në BE. Shqipëria fillimisht duhet të zgjidhe problemet. Ju vendosni si do e zgjidhni. Në Spanjë krizat janë zgjidhur me dialog mes palëve.
Ne ambasadorët jemi për të vëzhguar jo për të ndërhyrë”, u shpreh Montero.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greming gjatë vizitës së të enjtes në Tiranë në takimet e nivelit të lartë theksoi domosdoshmërinë që palët të dialogojnë për të zgjidhur krizën në vend. Ai tha se zgjidhja duhet të vijë brenda institucioneve të vendit, ndërkohë që dialogu duhet të zhvillohet në respekt me kushtetutën dhe ruajtjen e stabilitetit në vend.
Sa i përket dialogut palët në Shqipëri e shohin në ekstreme të ndryshme. Nga njëra anë kryeministri Rama i ka shtrirë dorën opozitës dhe e fton në tryezë bisedimesh për të dialoguar për reformën zgjedhore dhe çdo lloj çështje tjetër që nuk lidhet me ndryshimin e Kushtetutës dhe largimin e qeverisë.
Nga ana tjetër kemi opozitën që ka vënë kushte të forta dhe që përjashtojnë çdo mundësi dialogu. Opozita kërkon largimin e Ramës nga posti i kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzicioni.
Pra kushte këto që nuk lënë shteg për dialog mes palëve.