Vidhnin bankat me karta krediti të klonuara, arrestohen dy rumunë

AKTUALITET


Policia e Tiranës njofton se ka arrestuar dy shtetas rumunë dhe një tjetër në procedim penal, për klonim të kartave të kreditit dhe vjedhjen e parave.

Këta shtetas u arrestuan pas kallëzimin penal të bërë nga një bankë e nivelit të dytë në Tiranë.


Banka kishte pikasur se në ATM-të e saj persona të paidentifikuar kanë përdorur 10 karta të klonuara kanadeze dhe të Britanisë së Madhe.  Departamenti i kartave informon se procesori i tyre ka dhënë alert për disa veprime të dyshimta të kryera në ATM-të e kësaj banke.

Nisur nga kallëzimi i bërë, Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë regjistroi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë  procedimin penal që u ndoq me metoda speciale të hetimit për dy javë .

Si rezultat i veprimeve të kryera, këqyrjes së pamjeve filmike dhe sistemit të hyrje daljeve, u identifikuan dy persona dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Qafë Thanë u bllokuan dhe u shoqëruan së bashku me shoferin e mjetit, me të cilin ata qarkullonin.

Nga veprimet hetimore u arrestuan shtetasit A. B. dhe C.M. banues në Rumani, ndërsa shtetasi L.C. edhe ky banues në Rumani,  u procedua penalisht në gjendje të lirë.

Gjatë kontrollit të këtyre shtetasve, u gjendën dhe u sekuestruan si prova materiale 3 telefona të markave të ndryshme, 8 karta të ndryshme bankare, një sasi parash dhe pajisje për shkrues kartash magnetike dhe një Laptop .

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale ““Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.




Skip to toolbar