Një lokal ka marrë flakë dhe është shkrumbuar tërësisht gjatë natës në bregdetin e Shëngjinit. Lokalin është në pronësi të shtetasit 55 vjeç me banim në Lezhë, Pjetër Prelës, i cili ka denoncuar pak kohë më herët zyrtarë të bashkisë së Lezhës për abuzime me pronat në bregdet. Prela akuzon pikërisht këta persona për zjarrëvënie të qëllimshme.
Në një lidhje direkte me Report TV Prela ka thënë se 5 personat që i kanë vënë flakën lokalit kanë lidhur rojën dhe më pas kanë tentuar t’i venë flakën të gjithë kompleksit që ai ka në pronësi, por nuk ja kanë arritur. Nga flakët është djegur vetëm bari që është në plazh.
Kjo është hera e dytë që lokali i tij digjet nga zjarri. Herën e parë flaka në lokal ra gjatë orëve të natës dhe për këtë u tha se zjarri ka qenë aksidental për shkak të një defekti në ekspres. Ndërsa tani policia po heton në disa pista ku nuk përjashtohet ajo e konkurrencës por edhe për shkak të denoncimit që Prela ka bërë në lidhje me përvetësimin e pronave tek Rana e Hedhme nga zyrtarë lokalë të Lezhës.
Në lidhje me skandalin e pronave tek Rana e Hedhun janë arrestuar disa zyrtarë të lartë bashkisë së Lezhës ndaj të cilëve gjyqet vijojnë edhe sot. Zyrtarët lokalë të hetuar nga Prokuroria akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar afro 260 mijë m2 në zonën e plazhit, duke e kthyer në pronë private e më pas duke e shitur kundrejt vlerave të konsiderueshme monetare.
Policia e Lezhës bën të ditur se nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes në fjalë.