Presidenti i Republikës Ilir Meta ka liruar nga detyra Komandantin e Forcave Detare, Gjeneral Major Ylber Dogjanin, shtatë muaj pasi Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, i kërkoi shkarkimin e tij, për shkak të vjedhjes së arsenalit të armëve në bazën ushtarake të “Pashalimanit”. “Në mbështetje të pikës 3, të nenit 169, nenit 93 të Kushtetutës, të nenit 9, pika 3, germa “c”, të ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, dekretoj: Gjeneral Major Ylber Selman Dogjani, shkarkohet nga detyra e Komandantit të Forcave Detare, për shkak të mbarimit të mandatit”, shkruhet në Dekretin e Presidentit.
Në këtë mënyrë, Ilir Meta ‘përbush’ një kërkesë të Olta Xhaçkës, por jo në bazë të arsyeve të paraqitura nga Ministrja e Mbrojtjes në 4 shkurt të këtij viti. Xhaçka i kërkoi Ilir Metës të Shkarkonte Ylber Dogjanin gati shtatë muaj më parë, për arysen se ai ishte pjesë e zinxhirit të personave që kishin përgjegjësi, për hapjen e derës dhe vjedhjen e armëve dhe municioneve luftarake në bazën ushtarake të “Pashalimanit”, ngjarje e ndodhur në 11 janar të këtij viti. Por, Ilir Meta, e mbajti dhe shtatë muaj në detyrë Ylber Dogjanin, duke pritur përfundimin e mandatit të tij, dhe më pas shkarkimin nga detyra.
Ish-Komandanti i Forcës Detare, Ylber Dogjani, u gjet përgjegjës për ngjarjen e “Pashalimanit”, pas hetimeve të kryera nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Nisur nga ky hetim, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka i kërkoi Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të shkarkonte nga detyra 15 ushtarakë përgjegjës për drejtim-komandimin dhe çështjet e sigurisë e ruajtjes në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit.
Ndërkohë, në të njëjtat kushte, veç 15 ushtarakëve, Xhaçka i kërkoi dhe Ilir Metës shkarkimin e Ylber Dogjanit, por ky vendim u zvarrit deri në 31 korrik, ditë kur Dogjanit i përfundonte mandati si Komandant i Forcave të Armatosura. Për këtë ngjarje u arrestuan katër persona, konkretisht ata janë ushtarakët; Lesko Ramosaçaj 52 vjeç e Edlir Nelaj 42 vjeç përgjegjës, Ervis Memsulaj 23 vjeç dhe Ardit Ramaj 25 vjeç roje.