Vajza e presidentit të 40-të të Shteteve të Bahskuara, Ronald Reagan, ka kërkuar falje për disa qëndrime raciste të babait të saj. Patti Davis tha në një opinion të sajin të publikuar të enjten në gazetën Uashington Post se nuk e kishte menduar kurrë që do të dëgjonte një inçizim, ku babai i saj i përshkruante si majmunë delegatët me ngjyrë në Kombet e Bashkuara, thjesht sepse vota e tyre i kishte zemëruar.
Vendimi i anëtarëve të delegacionit të Tanzanisë për të votuar pro njohjes së Republikës Popullore të Kinës në vitin 1971, e kishte zemëruar guvernatorin e Kalifornisë Ronald Reagan, i cili më vonë do të bëhej president. Menjëherë pas votimit në Kombet e Bashkuara, zoti Reagan i telefonoi Presidentit të atëhershëm, Richard Nixon. Në bisedë ai kishte fyer rëndë delegacionin e shtetit afrikan.
“Të shohësh ata, majmunët nga vendet afrikane, dreqi ta hajë, ata ende nuk dinë të mbathin këpucë”, kishte thënë guvernatori Reagan. Biseda ishte regjistruar nga presidenti Nixon. Incizimi audio shoqëronte një shkrim për të njëjtën temë të publikuar të mërkurën në faqen e internetit The Atlantic. Kur pa artikullin, vajza e presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkuara, nuk u besoi syve. Fillimisht ajo dyshonte se materialit i ishte shtrembëruar përmbajtja. Por ajo tha se mbeti e shtangur kur dëgjoi përmbajtjen.
Një ditë më pas, ajo reagoi për veprimin e të atit me një shkrim që botoi në gazetën Uashington Post, ku kërkonte falje publike. “Nuk ka mbrojtje, as arsyetim ose sqarim për atë që babi im thotë në bisedën telefonike”, shkruan Davis. “Fjalët që ai përdor në bisedën me presidentin Nixon, nuk mund të përshkruhen ndryshe veçse të shëmtuara”, shkruan ajo./VOA/