Presioni i aleatëve frikëson Bashën, pranon 13 tetorin e Metës (por nuk regjistrohet)

POLITIKË


Presioni i aleatëve dhe regjistrimi i LSI në KQZ, duke u bazuar në dekretin e Metës për zgjedhje më 13 tetor ka sjellë tërheqje të fortë të kreut të PD, Lulzim Basha, i cili ka kërkuar nga KQZ që të përgatisë infrastrukturën për zgjedhje vendore, ndërsa vetëm rreth 1 orë më herët, ai kishte deklaruar se nuk ka zgjedhje pa larguar Edi Ramën.

“I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje”, shprehet PD në një deklaratë të shkurtër për mediat. Për të përforcuar qëndrimin e tij për 13 tetorin, Basha ka ushtruar presion edhe ndaj anëtarëve të KQZ, duke u shprehur se me moszbatimin e Dekretit të Presidentit, KQZ vazhdon t’i shërbejë pushtetit ilegjitim të Edi Ramës. Por, rreth një orë më parë, ai kishte deklaruar se nuk hynte në zgjedhje pa larguar më parë Edi Ramën. “Largimi i Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore është detyra e parë për zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Basha nga Kruja, ku shprehu vendosmërinë e opozitës për t’i shkuar deri në fund betejës.

Fillimisht, në takimet që Meta bëri me partitë e opozitës pas dekretimit të 13 tetorit, Basha deklaroi se vlerëson propozimin për 13 tetorin. Por nga 19 korriku e tutje, Basha ndryshoi qëndrimin për 13 Tetorin dhe rrëzuar çdo shpresë se PD do të hynte në zgjedhje. Për këtë qëndrim, Meta deklaroi në konferencën e fundit për shtyp se “kush ka dëshirë të regjistrohet, kush ka dëshirë të mos regjistrohet, të dalë me spektatorët”. Ky qëndrim i Metës, por jo vetëm, duket se ka bërë që Basha të pranojë të paktën 13 tetorin, megjithëse kjo datë nuk është njohur nga KQZ dhe nuk është pranuar nga mazhoranca e cila zhvilloi zgjedhjet më 30 qershor, të cilat u njohën dhe nga ndërkombëtarët. Për 13 tetorin, Basha është braktisur edhe nga aleatët e tij, të cilët me 2 gusht iu drejtuan me një kërkesë KQZ-së, pikërisht për të nisur procedurat për përgatitjen e zgjedhjeve, por që kjo kërkesë nuk është marrë në shqyrtim, pasi mbledhja e thirrur nga Kryetari Klement Zguri u bojkotua nga anëtarët e tjerë të KQZ. Ndërsa të hënën, LSI dhe PR depozituan në KQZ kërkesën për regjistrim në zgjedhjet e 13 tetorit, duke ndjekur vullnetin e Metës.

Megjithatë, veç braktisjes nga aleatët, ku po e humb betejën përballë Metës, pasi të gjithë pranojnë 13 tetorin edhe me Ramën Kryeministër, Basha duket se po i frikësohet edhe asgjësimit të PD, ashtu siç e paralajmëruan dhe akuzuan të mënjanuarit e kësaj force politike, si Jozefina Topalli, Arben Imami, e figura të tjera opozitare, që kanë kërkuar që lideri të marrë përgjegjësitë dhe të hapë partinë për të gjithë me qëllim për t’u kthyer në pushtet. Madje, kohët e fundit, realstory.al paralajmëroi se të mënjanuarit e PD kanë ndërmarrë hapat për lëvizjen “Basha Ik”, e cila pritet të nisë në shtator. Në këto kushte, i braktisur nga të gjithë, por edhe përballë presionit ndërkombëtar, të cilët herë pas here kanë kërkuar që palët të ulen në bisedime, thirrje që është refuzuar totalisht nga Basha, kreu i PD po bën një tërheqje të fortë, ndoshta duke pranuar realitetin se Rama nuk bie me kërkesën e tij në aksionin e tij me takime për strukturat e PD, por vetëm me votime. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Basha do të regjistrohet për 13 tetorin, ashtu siç veproi paraditen e së hënës, LSI dhe PR, apo ka kërkuar 13 tetorin pë Kryemadhin dhe Mediun?! / Realstory



Skip to toolbar