Meta konfirmon Realstory për partinë e re: LSI nuk është ambicia ime

AKTUALITET


Presidenti i Republikës Ilir Meta, që ka nisur pushime të gjata verore në Prevallë, ka zgjedhur emisionin “Kojshia Shoë” në RTV21 në Kosovë, për të treguar ambiciet e tij në alpinizëm. Kreu i shtetit shqiptar, para se të fliste për krizën politike në vend, ka treguar se po përgatitet për të ngjitur majat më të larta në Shqipëri.  “Sivjet pas këtyre dy javëve në Prevallë kam objektiv të ngjis majën e Korabit, që është maja më e lartë e Shqipërisë. Kjo më jep një kënaqësi të veçantë, sepse dashuria për malet është e lindur, meqenëse kam lindur në malet e Skraparit. Duhet të jemi më krenar për malet tona, për bukuritë që kemi, që na i mësuan më shumë çekët, polakët dhe turistët e tjerë që t’i rivlerësojmë. Unë jam i lumtur që u jam rikthyer maleve dhe përpiqem t’i promovoj bukuritë e Shqipërisë, apo edhe të Kosovës e të rajonit”, – është shprehur Meta.

Më tej, gjatë fjalës së tij në emisonin në tv kosovar, Ilir Meta ka folur dhe për krizën politike në vend. Ai është shprehur se Rama dhe Basha duhet të ngrihen mbi interesat personale dhe të zgjidhin krizën. Sipas Metës, zgjidhja vjen nga zgjedhjet. “Për Shqipërinë është e nevojshme që të gjithë politikanët të vënë interesat e vendit mbi interesin e axhendave të tyre afatshkurtra. T’i shërbejnë stabilitetit të vendit, dialogut politik, forcimit të institucioneve demokratike, sidomos institucioneve të pavarura. Shqipëria po vuan një largim serioz të të rinjve, të gjeneratës më krijuese dhe më të domosdoshme për zhvillimin e vendit dhe kjo ndodh për shkak të këtij konflikti që vazhdon në Shqipëri në një mënyrë skizofrenike do të thoja, edhe pas 30 vjetësh”.

“Është një konflikt tërësisht artificial dhe që është një këmbanë alarmi për të reflektuar të gjithë urgjentisht.  Nuk mund të jetë Shqipëria, për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, një shembull frymëzimi dhe pozitiv, në këtë mënyrë siç zhvillimet e fundit kanë ndodhur në vendin tonë për fat të keq. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve”, është shprehur Meta, duke lakuar për herë të parë se krizë është artificiale. Megjithatë, Ilir Meta ka lënë të kuptohet se pas largimit nga presidenca, nuk ka synim të rikthehet te LSI, por të rikthejë, sipas tij, ‘vendin në rrugën e demokracisë dhe sovranitetit’.

“Kjo nuk është beteja ime për të ardhmen. Beteja ime për të ardhmen është rivendosja e vendit në rrugën e demokracisë, sepse ka dalë nga kjo rrugë. Së dyti, në rrugën e kushtetueshmërisë dhe të funksionimit të institucioneve në mënyrë demokratike. Beteja ime kryesore sot si President, por edhe nesër nëse do të jetë e nevojshme kur të mos jem President, do të jetë për rikthimin e sovranitetit të qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë humbur kontrollin e tyre mbi parlamentin, mbi qeverinë, mbi pushtetin vendor, mbi të gjitha institucionet që duhet të jenë në shërbimin e tyre dhe duhet të jenë të kontrolluara prej tyre. Kjo është beteja ime kryesore dhe nuk është kurrsesi rikthimi në Lëvizjen Socialiste për Integrim”, është shprehur Ilir Meta, duke lënë të kuptohet se hapi i radhës mund të jetë krijimi i një partie të re.

Në fakt, kjo deklaratë e Metës mund të duket e befasishme, por Realstory.al, paralajmëroi më 9 korrik këtë lëvizje të Ilir Metës. Çfarë ndodhi në atë kohë? Në një artikull të Realstory.al, parashikohej krijimi i një lëvizje të re politike nga Ilir Meta pas largimit nga posti i presidentit. Më 9 korrik, (lexo shkrimin e Realstory.al) Meta zhvilloi një takim me Rexhep Taip Erdogan në Bosnje, vetëm pak ditë pasi hodhi akuza të forta ndaj Sorosit, dhe përmendi Viktor Orban dhe lëvizje të tjera nacionaliste dhe sovraniste, ashtu sikundër është dhe partia e Erdogan. /Realstory.al/



Skip to toolbar