Video/ Partizani tremb rivalët, fiton Superkupën me ‘poker’ ndaj Kukësit

AKTUALITET


Gjashtë gola dhe 120 minuta lojë, një ndeshje plot spektakël, dhe me tre përmbysje të jashtëzakonshme, dhe në fund, Partizani e nis sezonin e ri, ashtu si mbylli të kaluarin, duke fituar trofe. “Të Kuqtë” kanë mundur 4-2 Kukësin duke fituar Superkupën e Shqipërisë, me ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”. Edhe pse me një atmosferë të vakët në shkallët e stadiumit, në fushën e lojës nuk ka munguar spektakli.

Në  barazim 1-1 është mbyllur pjesa e parë, me dy gola të realizuar bukur, por me një lojë të vakët në ide dhe agresivitet.  “Të kuqtë” kanë kaluar të parët në avantazh që në minutën e 6-të të takimit. Ishte Esat Mala ai që zhbllokoi sfidën, pasi mposhti Avdylin me një gol të bukur nga brenda zonës.


Pasi kaloi mbrojtjen e verilindorëve, Mala futet në zonë dhe nuk e ka të vështirë të shënojë. Deri në minutën e 39-të loja mbetet e ekuilibruar, megjithëse Partizani ka disa mundësi më shumë duke rrezikuar portën kundërshtare, por pa arritur të thellojë diferencën. Megjithatë, në të 39`, Emiliano Musta bën të njëjtën gjë si Esat Mala.

Pasi kalon mbrojtjen e Partizanit me shpejtësi, lë pas dhe portierin Alban Hoxha, Musta shënon golin e barazimit për Kukësin. Gjithçka vendoset në barazpeshë, ndërsa tre minuta para përfundimit të pjesës së parë, Mala ka përsëri një shans të artë për të shënuar, por ndalet nga portieri i Kukësit.

Në pjesën e dytë skuadra verilindore bëhet më agresive, duke sulmuar që në minutat e para portën kundërshtare. Në minutën e 56`, verilindorët fitojnë një goditje dënii. Musta gjuan përsëri duke tundur rrjetën e Alban Hoxhës, dhe njëkohësisht duke shënuar një gol spektakolar.

Megjithatë, kur dukej se Kukësi ishte duke fituar Superkupën, dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Solomon shënon golin e barazimit për ekipin e Partizanit. Ndeshja shkon në shtesë, aty ku “Të Kuqtë” mbyllin gjithçka shumë shpejt me Broën, që shënon në të 94` dhe 99`. Me shifrat 4-2 mbyllen 120 minuta lojë në Elbasan, me Partizanin që e nis mbarë sezonin e ri, duke fituar trofeun e parë, një javë para nisjes së kampionatit.




Skip to toolbar