Një ditë para mbledhjes së këshillit të ri bashkiak të Shkodrës, të dielën më 18 gusht, dega lokale e Partisë Socialiste e këtij qyteti ka zhvilluar një mbledhje, ku është diskutuar rreth zhvillimeve në bashkinë e Shkodrës, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit. Mbledhja e drejtuar nga ish zëvendës kryeministrja Senida Mesi, dhe me praninë e deputetëve të PS në Shkodër, është shoqëruar nga debate të forta. Realstory.al ka siguruar procesverbalin e kësaj mbledhje, ku shihet se disa anëtar të kryesisë së PS në Shkodër shprehin zhgënjimin e madh për situatën e krijuar, duke thënë se ndihen ‘të turpëruar’. Pas fjalës hapëse të mbajtur nga Senida Mesi, që propozon emrin e Brisela Kadia si kryetare të re të këshillit bashkiak të Shkodrës, ka reaguar ashpër anëtarja e kryesisë, Tereze Brigja, që shprehet se socialistët e Shkodrës “nuk janë dele”.
“Ne nuk jemi dele që na vini me këta urdhra. Së pari të vini e të kërkoni falje për Kryetarin që kishim. Nuk kam gjë kundra emrit që propozoni! Por e njohu KM Valdrinin që na e soli pa pyet?? Po ashtu pa na pyet e pa e njohtë po na sjell dhe këtë herë! Na turpëruat. U detyrohemi falje njerëzve që përfaqësojmë e mos ta shtojmë turpin”.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Bledian Nika, duke kërkuar që Valdrin Pjetri të kërkojë falje. “Së pari të vinë të na kërkojnë falje. Edhe ju që jeni aty, po..po. Se nuk u morët vesh ju në këta 2.5 vite jemi në këtë gjendje që na katapultojnë njerëz pa na pyet. Unë flas e kam të drejtë të flas, se kam sjellë ma shumë vota se secili në këtë sallë…Dhe mos më drejto gishtin mua kur flet”.
Më tej debati është ashpërsuar, kur Tereze Brigja ka kërkuar që në mbledhje duhet të ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ndërsa thotë se me Valdrinin i është bërë gropa socialistëve të Shkodrës.
“Ne jemi në demokraci, dhe nuk pranojmë të komandohemi kështu. Do doja shumë të ishte Edi rama këtu, ti them si më dhemb shpirti për këtë gjendje ku është katandisë PS Shkodër. Na bëri gropën me atë kandidat, që siç e pamë as në zonë të vet në Rrenc nuk fitoi. Nuk pat aftësi me njohtë kandidatin…si merr përsipër me na detyru prap figurë tjetër… Flas se kam kontribut në vite…kam derdhë djersë. A e dini ju ça do me thanë me drejtu njerëz me votu deri në maje të Dukagjinit, nëpër një shteg rruge ku kanë vdekë mbi 75 vetë?? Nuk e dini…se nuk ka të ngjashëm në qytet kjo sforco…Nuk kam më besë ndër njerëz me u kërku votë…se jena malsorë e kena besë! Keni bërë gabim fatal, dhe tani vini prap na komandoni! Të zhytur në turp”.
Ndërkohë debati ka vijuar edhe për emrin e kryetares së këshillit bashkiak, e cila nuk ka gjetur dakordësinë e kryesisë së PS në Shkodër. “Pse na vendosni gisht për të zgjedhur një femër? Ça lidhje ka? Nuk e thotë ligji! Po qe për ashtu kemi Aurora Dibrën”, ka thënë Diana Muriqi. Por Senida Mesia është shprehur se ajo është propozim politik. “Ne kemi urdhër politik për këtë emër. Dhe mos më tregoni mua procedurën e Këshillit Bashkiak”./Realstory.al/