Meta dekoron ambasadoren greke, Greqia vë veton për negociatat me BE

AKTUALITET


E ndërsa presidenti Meta dekoroi të mërkurën me titullin më të lartë, ambasadoren greke në Tiranë, me motivacionin për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, kryeministri grek nga ana tjetër vendos kushte për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Micotaqis ka deklaruar se respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri përbën kusht paraprak për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Këtë kreu i qeverisë greke e ka shkruar në një letër dërguar shoqatës së minoritetit grek në Shqipëri, OMONIA.

Në letër kryeministri grek thekson edhe një herë përkushtimin e shtetit fqinj dhe të tijin personal për të mbrojtur të drejtat e minoritetit grek. Micotaqis ka theksuar se të drejtat e minoritet grek dhe e pronës së tyre nga shteti shqiptar përbëjnë kusht paraprak për hapjen e negociatave me BE.

“Shqetësimi kryesor i qeverisë greke dhe i imi personal është mbrojtja me efikasitet i të drejtave minoritare dhe të pronës të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, çka edhe përbën kusht paraprak për hapjen e negociatave të integrimin të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruan kryeministri i Greqisë.

Në fund të letrës Micotaqis thekson se Greqia do të jetë gjithmonë në krah të minoritetit helen duke e mbështetur atë por edhe për të përmirësuar marrëdhëniet greko-shqiptare në përgjithësi.

Duket se ambasadorja greke në Tiranë nuk është se ka ndikuar dhe aq shumë në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në një kohë kur shteti fqinj vendos kushte të tillë në prag të çeljes së negociatave dhe dekorata e dhënë të mërkurën nga presidenti duket qartë se ishte një përpjekje e tij për të fituar sa do pak mbështetje ndërkombëtare në verën e vetmisë së madhe, sikurse njoftoi më herët realstory./realstory.al



Skip to toolbar