Postimi i fundit i Petrit Vasilit konfirmon përçarjen e opozitës. PD dhe LSI kanë qëndrime krejt të ndryshme në lidhje me gjetjen e zgjidhjes së krizës. Ndërsa Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do të hyjë në zgjedhjet e 13 tetorit të dekretuar nga Meta, LSI e shikon këtë datë si zgjidhjen e krizës. Petrit Vasili shkruan të mërkurën se nëse drejtuesit e opozitës nuk e pranojnë këtë zgjidhje atëherë ata janë bashkëfajtorë njëlloj si Rama. Madje Vasili, përdor dhe shprehje të ish shefit të tij, presidentit Ilir Meta, teksa shkruan se “asnjë alibi nuk mund të ketë për askënd në rast se nuk e ndalin krizën sot”, mesazh ky drejtuar Bashës.
“Sot dhe vetëm sot të gjithë shqiptarët, që duan të shpëtojnë vendin, por veçanërisht të gjithë ata, që kanë përgjegjësinë të udhëheqin opozitën politike janë përpara një prove për ndershmërinë tyre edhe individuale ndaj interesave të vendit. Asnjë alibi nuk mund të ketë për askënd në rast se nuk e ndalin krizën sot.
Qeverisja e nesërme nuk mund të ndërtohet mbi një shkatërrim pa kthim sot, sepse do bënte të pavlere e paefekt edhe qeverisjen që do të kishte qëllimet më të mira. Shqipëria është sot si një i sëmure në agoni dhe opozita ka detyrën që sot, menjëherë dhe me çdo çmim ta shpëtojë nga vdekja dhe jo të qajë e vajtojë mbi kufomën e saj. Ka vetëm një ilaç, ka vetëm një kurë, ka vetëm një mjekim; ai është zgjedhjet e lira dhe të ndershme sa më parë. Shmangia nga ky mjekim i vetëm shpëtimtar, që janë zgjedhjet, do ta bënte bashkëfajtorë të gjithë”, shkruan Vasili.
Realstory ka shkruar më herët rreth përplasjeve brenda koalicionit opozitar, që kanë nisur që pas shpalljes së dekretit të Metës për zgjedhje në 13 tetor. Megjithëse Basha në një konferencë të fundit për gazetarët kur u pyet për marrëdhëniet me LSI-në, u përpoq t’i sfumonte fjalët për një përçarje duke thënë se opozita është e bashkuar; deklarata e së mërkurës e Vasilit e konfirmon një fakt të tillë.
Që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Kryemadhi u distancua nga qëndrimet e Bashës. Për më shumë se 1 muaj ajo nuk bëri asnjë dalje për mediat dhe asnjë deklaratë politike. Kryemadhi u shfaq javën e fundit ku pas pushimeve në Prevallë zhvilloi një takim 30 minutësh me Bashën, pas të cilit asnjë nga ata nuk dhanë asnjë deklaratë për mediat por u siguruan të tregoheshin shumë miqësorë me njëri-tjetrin teksa u puthën dhe u përqafuan në sy të kamerave si për të treguar se gjithçka shkon mirë mes tyre. Por ja që kjo nuk qenka dhe aq e vërtetë. Petrit Vasili në postimin e tij ka fjali identike me ato të Metës pak kohë më herët kur postonte nga Prevalla mesazhe të koduara drejtuar Bashës dhe një ndër to fliste për mungesën e alibisë për liderin e opozitës që refuzon 13 tetorin, datë kjo antikushtetuese, por që presidenti pretendon se do të zgjidhë krizën në vend./Realstory.al