Policia e Tiranës ka goditur një rast të evazionit fiskal në mashtrimin me biletat në transportin publik. Gjatë këtij aksioni policia ka arrestuar 8 persona punonjës të kompanive të transportit publik në Tiranë ku mes tyre janë edhe tre bashkëpronar të këtyre linjave të transportit të Unazës. Arrestimet janë kryer gjatë operacionit të koduar “Bileta e falsifikuar”, ku janë sekuestruar edhe 150 mijë bileta të falsifikuara, që kapin një vlerë prej 6 milionë lekësh në dëm të shtetit .
Pas një hetimi një mujor, policia zbuloi skemën e mashtrimit duke çuar në arrestimin e Ferdinand Ibrahimi, 60 vjeç, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit të Unazës, dhe djali i tij Anastas Ibrahimi, 20 vjeç, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale, në tentativë për t’i asgjësuar, Fatos Vrapi , 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti dhe bashkëshortja e tij Albana Vrapi, 51 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore dhe ortake (të dy janë bashkëpronar të linjave të Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës); Evisa Vora, 33 vjeçe, banuese në Tiranë (ka në pronësi linjën e Porcelanit), me detyrë administratore; Lulëzim Allaraj, 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i një linje autobusësh; Aldi Duka, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre dispeçer i një linje autobusësh; Klodian Qato, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë ekonomist në një shoqëri autobusësh.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi
dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri -tjetrin kanë falsifikuar bileta të
transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e
detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin
urban në qarkun Tiranë.
Këta shtetas përdornin bileta urbani të
falsifikuara dhe jo të prodhuar në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat
i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare.
Nëpërmjet këtyre veprimeve i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i
cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme
të Tatimeve.
Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, janë
sekuestruar në cilësinë e provave materiale 150 000 bileta urbani të
falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave kap vlerën 6 000 000 lekë të reja.
Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës
materiale: një automjet i markës “Masserati”, 4 aparate celulare, në posedim
nga personat nën hetim, kartela të ndryshme financiare të plotësuara me shkrim
dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh
arkëtimi , si dhe dokumente të tjera me shënime të ndryshme.
Materialet procedurale u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.