Gjermania është shprehur gjithmonë pro zgjerimit dhe përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane. Qëndrimi i Merkelit, është theksuar edhe njëherë nga ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, i cili u shpreh me nota pozitive për integrimin e Shqipërisë dhe domosdoshmërisë për ta bërë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Mendoj se BE ka interes në këtë rajon. Kjo është e rëndësishme për të parandaluar të tjerët, të cilët jo domosdoshmërish bien dakord me vlerat tona, nga zgjerimi i influencës së tyre në rajon.” tha Maas duke iu referuar kështu ndikimit rus në Ballkan.
Ministri gjerman madje hodhi poshtë idenë se përpjekjet dhe rezultatet e dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të vlerësoheshin veçmas siç ishte sugjeruar. Përkundrazi ai tha se të dy vendet kanë punuar shumë dhe gjithmonë janë trajtuar si një “paketë”. Këto deklarata Maas i bëri në Helsinki të Finlandës në takimin joformal të ministrave të jashtëm të BE, ku ndodhet dhe ministri Cakaj.