Armando Sadiku do të vijojë të qëndrojë në Spanjë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare është zyrtarizuar si pjesë e klubit të Malagas, ku aktivizohet një tjetër futbollist i kombëtares, mesfushori Keidi Bare. Ka qenë klubi i Malagas që ka prezantuar Sadikun, duke publikuar lajmin në faqen zyrtare. Futbollisti kuqezi është huazuar për një sezon te skuadra e La Liga 2 në Spanjë, duke u bërë pjesë e sulmit të këtij klubi.
Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes të së hënës, Levante ka zyrtarizuar transferimir duke pohuar edhe rinovimin e kontratës me Sadikun deri në vitin 2021. Levante ka bërë rinovimin e kontratës me Sadikun, me qëllim që në përfundim të sezonit të ardhshëm, nëse sulmuesi do të jetë në formë të mirë, prej tij skuadra e La Ligas mund të përfitojë rreth 1 milion euro nëse e shet.
Ky është huazimi i dytë brenda pak kohësh për Sadikun, i cili gjysmën e sezonit të dytë luajti për Luganon në Zvicër, pasi u huazua nga Levante, që ka përsëri në pronësi kartonin e sulmuesit shqiptar. Sadiku do të jetë shok skuadre me Keidi Baren, mesfushorin kuqezi që prej dy sezonesh është duke shkëlqyer me klubin e La Liga 2, ndërsa këtë sezon do të tentojnë të ngjiten në elitën e futbollit spanjoll.