Personat që kërkojnë të fitojnë shtetësinë shqiptare do t’i duhet të paguajnë 10 herë më shumë se tani. Kjo parashikohet në ndryshimet që i janë bërë ligjit për shtetësinë.
Sipas relacionit, tarifa aktuale nuk korrespondon me koston e shërbimit dhe përshtatja e saj do të sillte rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit.
“Këto ndryshime priten të shoqërohen me ndikime sociale në dy aspekte: regjistrimi i personave të cilët kanë fituar shtetësinë shqiptare me dekret presidencial, por që nuk janë regjistruar në zyrat e gjendjes civile përkatëse, si dhe regjistrimi i personave që kanë mbushur moshën 18 vjeç, të lindur jashtë territorit shqiptar, qoftë edhe me njërin prind më shtetësi shqiptare, do të sjellë rritje të numrit të popullsisë shqiptare, si dhe ushtrimin nga ana e kësaj kategorie subjektesh, të të drejtave që lidhen me të pasurit shtetësinë shqiptare.
Në mënyrë indirekte, kjo do të shoqërohet me ndikime ekonomike pozitive, pasi kjo kategori personash që nëpërmjet regjistrimit në zyrat e gjendjes civile, u bëhet efektive shtetësia shqiptare (ushtrim të të drejtave sociale dhe përfitime fiskale), mund të investojë të ardhurat në territorin shqiptar” – shkruhet në raportin shpjegues.
Tarifa për aplikim propozohet të jetë në vlerën 300 euro, referuar edhe tarifave që zbatohen në nivel rajonal, si dhe do të miratohet me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Të ardhurat që parashikon për Buxhetin e Shtetit, nëse kjo tarifë miratohet janë në vlerën 63 milion lekë, raporton revista Monitor.
“Sipas të dhënave të Sektorit të Shtetësisë për vitin 2018, parashikohet të aplikojnë për shtetësinë shqiptare rreth 1 000 persona, nga të cilat 700 persona kanë aplikuar brenda vendit dhe 300 persona jashtë vendit, ku janë rezidentë. Aktualisht mbështetur në Udhëzimin e Përbashkët të Ministrisë së Punëve të Jashtme nr.6252, datë 10.12.2001 dhe të Ministrisë së Rendit Publik nr. 3583, datë 27.11.2001 “Për procedurat dhe dokumentacionin për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare”, tarifa e shërbimit (aplikimi për shtetësi) është në masën 5 000 lekë pë r personat që aplikojnë brenda vendit, dhe 30 euro për personat që aplikojnë pranë përfaqësive diplomatike. Për vitin 2018 të ardhurat për Buxhetin e Shtetit parashikohen të jenë në vlerën 4 760 mijë lekë. Këto të ardhurat derdhen në Buxhetin e Shtetit, pra nuk përdoren nga strukturat/njësit ë që i krijojnë ato. Parashikohet që numri i aplikantëve sipas këtij projektligji të jetë rreth 1 500 persona.”-thuhet në relacion.