Gert Bogdani nuk do të jetë më sekretar për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Demokratike. Ish-deputeti i PD, i njohur si njeri me lidhje amerikane e ka bërë vetë publik këtë fakt, duke deklaruar se ai ka paraqitur dorëheqjen pranë Kryetarit të PD, Lulzim Basha dhe menjëherë ka reaguar PD, duke deklaruar se kreu i opozitës ka pranuar dorëheqjen dhe në vend të tij është emëruar Arben Kashahu. Por, burime të sigurta të Realstory.al pranë PD mësojnë se e vërteta nuk është kaq e thjeshtë, pasi Bogdani është shkarkuar disa ditë më parë për shkak të një përplasje me kreun e PD, Basha, pasi dënoi vendosjen e një memoriali turk kundër Gylen, i përfshirë në puçin e shtetit në korrik 2016 në Turqi.
Menjëherë pas këtyre deklaratave kundër memorialit turk, për të cilat vetë kryetari Basha nuk ka mbajtur asnjë qëndrim, ndërkohë që këshilltari i PD në Bashkinë e Tiranës, ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, burimet thonë se ka nisur përplasja mes Bashës dhe Bogdanit, i cili mbante funksionin e Sekretarit të Marrëdhënieve me Jashtë në PD që në vitin 2007, kur e emëroi Berisha. Megjithatë, e pyetur nga Realstory, PD e ka mohuar shkarkimin e Bogdanit, duke deklaruar se është larguar vetë. Duke qenë se Bogdani, ashtu siç e përmendëm më lart është person me lidhje amerikane, fakt të cilin e ka përmendur edhe vetë në reagimin e tij në rrjetet sociale gjatë reagimit, ku deklaron dorëheqjen, largimi i tij për turqit është një tjetër shenjë e përkeqësimit të raporteve të Bashës me SHBA, të cilat arritën kulmin para zgjedhjeve të 30 qershorit, kur SHBA i bëri thirrje nominale që të mos cenohet procesi i zgjedhjeve, duke paralajmëruar se kushdo që cenon zgjedhjet do të futet në listën e zezë të organizatave të dhunshme.
Realstory kontaktoi me ish-deputetin Bogdani në lidhje me largimin e tij, por ai u tregua i rezervuar për të dhënë sqarime të shumta. Në një prononcim të shkurtër për Realstory kur u pyet për arsyet e largimit nëse lidhen me qëndrimin kundër memorialit turk, Bogdani tha shkurtimisht “Jo, ka të bëjë me angazhime të tjera brenda partisë” dhe me gjithë insistimin tonë për të treguar për çfarë angazhimesh bëhet fjalë, ish deputeti i PD u përgjigj “Në ditët në vijim, patjetër”, duke mos rrëfyer më tepër mbi këtë çështje, e cila vë në diskutim filozofinë e PD në marrëdhëniet me SHBA.
Mosruajtja e kursit për të rregulluar marrëdhëniet me amerikanët, por duke kërkuar më shumë mbështetje të gjermanët, vihet re edhe në emërimin e pasardhësit të Bogdanit.
Në një deklaratë të PD deklarohet se Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka pranuar dorëheqjen e Gert Bogdanit nga detyra e Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe në këtë detyrë ka emëruar zotin Arben Kashahu, i njohur nga profesionistët e fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare si drejtues i suksesshëm i ekipit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian. “Kashahu është në profesion jurist dhe pas përvojës 5 vjeçare si drejtues i lartë në Ministrinë e Integrimit, ka punuar në disa organizata dhe shoqëri ndërkombëtare”, deklaroi PD. /Realstory.al