Pas Ramës, Meta bën armik dhe Bashën: Kërkoi gjakderdhje

AKTUALITET


Presidenti Meta në mbrojtje të vetes para Komisionit Hetimor, nuk ka kursyer as Ramën e as Bashën nga akuzat duke i sulmuar që të dy. Sipas Presidentit si Rama ashtu dhe Basha u treguan kokëfortë dhe ishin gati të çonin vendin në konfrontim duke shkaktuar viktima e gjakderdhje, ndaj dhe ai mori aktin për të anuluar datën e zgjedhjeve.


Meta e cilësoi të gabuar vendimin e opozitës për të djegur mandatet e deputetëve, ndërsa po aq të gabuar e cilëson edhe rolin e maxhorancës që i zëvendësoi sipas tij me shpejtësi vendet vakante në Kuvend, pa bërë asnjë përpjekje për dialog.

Presidenti gjithashtu thotë se ai ka bërë përpjekje që palët të ulen në një tryezë dialogu por si Rama dhe Basha u treguan kokëfortë.

“Bëra përpjekje për dialog, por kokëfortësia e kryeministrit për të mos diskutuar mundësinë e shtyrjes së datës 30 qershor dhe e dyta kokëfortësia e kryetarit të PD-së për të mos u ulur me Ramën si kryeministër, nuk la vend për tryezë”, tha Meta.

Ai sulmoi ashpër Ramën duke thënë se “gjuha e tij helmuese” nxiti dhunën në protestat e opozitës.

“Nuk kam qenë dakord me mitingjet e Ramës, që në thelb ishin anti mitingje të kryeministrit. Ia kam thënë Ramës, se pas çdo proteste të opozitës, ai organizonte anti mitingje. Por gjuha e tij helmuese acaronte protestuesit përballë policisë së shtetit që kanë qenë në situatë të vështirë. Kujtojmë që një police humbi gishtat e dorës. Çfarë mund të bënte presidenti kur të dy palët kërkonin konfrontim. Konfrontimi mund të sillte gjakderdhje dhe do shkaktonte viktima?”, tha Meta në Komision.

Është rasti të kujtojmë se në të 10 protestat e opozitës, pavarësisht dhunës së ushtruar nga protestuesit dhe përpjekjeve për t’i vënë zjarrin si kryeministrisë ashtu edhe godinës së parlamentit, nuk është plagosur asnjë protestues, por vetëm policë. Pikërisht ky fakt rrëzon deklaratën e Metës, se qeveria, apo Rama synonte gjakderdhje./realstory.al



Skip to toolbar