SHBA ndjek “Tahirin”. Ish ministri zbulon shkresën “top secret”

AKTUALITET


Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin me 12 vite burg të ish-ministrit Saimir Tahiri, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Kërkesa e prokurorisë është bërë të martën rreth mesditës në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku është zhvilluar seanca për gjykimin e Saimir Tahirit. Veç ish-ministrit, prokuroria ka kërkuar 12 vite burg dhe për Jaeld Çelën, ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, i cili është ende në arrati. Kjo ka qenë kërkesa e prokurorisë, ndërkohë që ish-ministri po mbrohet nga avokatët e tij, nga ku mësohet se ka paraqitur prova të reja në gjyq.

Sipas mediave, mësohet se Tahiri ka paraqitur një shkresë ‘top secret’, me anë të së cilës, kur ishte ministër i brendshëm, i kërkonte koleges së tij në ministrinë e mbrojtjes, Mimi Kodheli, që të merrte masa për radarët. Gjithashtu, Tahiri është shprehur se nuk ka ndihmuar kurrë për trafikun e drogës, duke treguar gjithashtu një rast kur vëllezërit Habilaj, në kohën që ai ka qenë ministër, janë proceduar për pengmarrje. Ndërkohë, para gjykatës, Tahiri mësohet se ka pranuar që u ka shitur një makinë vëllezërve Habilaj, me të cilën ai dyshohet se ka lëvizur dhe jashtë vendit.

Gjithashtu, mësohet se në seancën gjyqësore te Gjykata e Krimeve të Rënda, kanë qenë dhe përfaqësues të SHBA, që sipas Report Tv, kanë ndjekur seancën gjyqësore ndaj Tahirit. Tashmë pritet të konfirmohet nëse Gjykata e Krimeve të Rënda do të marrë një vendim të martën e 10 shtatorit, apo do të kërkojë më shumë kohë për t`u njohur me provat e reja të paraqitura nga ish-ministri, dhe më pas të vlerësojë kërkesën e Prokurorisë për dënimin ose jo të Tahirit. Nëse do të vendoset për dënimin e Saimir Tahirit sipas  kërkesës së Prokurorisë, ish-ministri do të përfitojë ulje të dënimit nga 12 në 8 vjet, kjo pasi gjykata ka pranuar gjykimin e shkurtuar.



Skip to toolbar