Në prag të vizitës së Ramës, Gjermania jep sinjale pozitive për negociatat

AKTUALITET


Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka deklaruar se Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë progres në rrugën e reformave, ndaj dhe duhet të çelen negociatat me BE-në për këta dy shtete.

 “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë arritur progres. Ne duhet t’u ofrojmë perspektivë evropiane të besueshme këtyre vendeve dhe të fillojmë negociatat e anëtarësimit”, deklaroi Maas pas takimit me homologun kroat Gordan Grliç Radman në Berlin.


Maas shtoi se kjo çështje, jo vetëm që është diskutuar brenda qeverisë gjermane, por edhe po zhvillohen takime në Kuvendin Federal në lidhje me këtë çështje.

Maas rikujtoi se më 1 janar të vitit 2020 Kroacia merr presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ndërsa Gjermania në gjysmën e dytë të vitit 2020, duke shtuar se është e rëndësishme që për këtë arsye, të dy vendet të koordinohen në lidhje me çështjet e BE-së.

Kjo deklaratë e ministrit të Jashtëm gjerman, vjen vetëm pak ditë para se kryeministri shqiptar, Edi Rama të zhvillojë një vizitë zyrtare në Gjermani ku në qendër të bisedimeve do të jetë pikërisht çelja e negociatave me BE-në.

Më herët, Deutsche Welle bazuar në burimet e saj në grupin parlamentar CDU/CSU, që i përket të djathtës gjermane, që drejtohet nga kancelarja Merkel, njoftoi se pritet të ketë një vendim pozitiv nga ana e Gjermanisë për çeljen e negociatave në tetor për Shqipërinë. Vendimi që Gjermania do të marrë për Shqipërinë është mjaft i rëndësishëm, dhe pritet të ndikojë edhe tek vendet e tjera skeptike, siç janë Franca dhe Holanda. Më 18 tetor Këshilli i Europës do të thotë fjalën e fundit në lidhje me çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.




Skip to toolbar