Deklaratat e bujshme dhe aspak miqësore ndaj Kosovës të presidentit çek Zeman, i ka hedhur poshtë ministri i Jashtëm çek, Tomáš Petříček. Ministri Petříček tha se Çekia nuk ka aspak në plan të tërheq njohjen e shtetit të Kosovës, pasi nuk ka asnjë arsye ta bëj këtë. Me një reagim zyrtar, Ministria e Jashtme e Çekisë ka deklaruar se tërheqja e njohjes së Kosovës nuk mund të ndodh dhe se mes dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie diplomatike e bashkëpunim dypalësh.
“Qeveria e Republikës së Çekisë e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka dhënë pëlqimin për vendosjen e raporteve diplomatike. Është njohje ‘de jure’, pra është njohje e plotë dhe përfundimtare nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar. Republika e Çekisë asnjëherë nuk e ka tërhequr njohjen ndaj ndonjë shteti. Republika e Çekisë pa dyshim që ka një interes për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare me Republikën e Kosovës, përfshirë këtu edhe obligimet që dalin nga bashkëpunimi dypalësh” thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Çekisë.
Ky reagim i qeverisë Çeke, vjen pas deklaratave të pazakonta të presidentit çek Milos Zeman, i cili tha para mediave gjatë një takimi me presidentin serb Vuçiç, se vendi i tij mund të rishikojë njohjen e Kosovës si shtet. Për shkak të këtyre deklaratave, Kosova bojkotoi pjesëmarrjen e saj në Samitin e Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor në Pragë.