Gjermanët, elozhe Gjasulës. I vënë nofkën “Spartaku”

SPORT


Klaus Gjasula është padyshim një nga notat pozitive të shtatorit kuqezi, por edhe një zbulim që po tërheq vëmendjen gjithnjë e më shumë edhe në Gjermani. Në moshën 29-vjeçare, futbollisti ka debutuar në Bundesligë duke dhuruar paraqitje shumë bindëse edhe me fanellën e Paderborn.

Ndaj pas debutimit të tij kuqezi, nuk është aspak rastësi që e përditshmja gjermane “Kicker” i ka kushtuar vëmendje futbollistit shqiptar, duke treguar pak nga rrugëtimi që ka bërë mesfushori të cilin shokët e skuadrës e quajnë “Spartaku” për helmetën që mban në kokë.

E përditshmja gjermane tregon se debutimi i Gjasulës erdhi në një ndeshje të çuditshme ku u gabua himni kombëtar, atë ndaj Francës. Në artikull shkruhet se Gjasula tregoi karakterin e tij dhe lojën agresive ashtu si në kampionatin gjerman dhe ishte me fat që nuk njollosi me të kuq ndeshjen e parë. “Nëse mesfushori ishte me fat në barazimin 1-1 ndaj Volfsburg, pas një faulli të rëndë ndaj Gerhard në minutën e fundit dhe nuk pa kartonin e kuq, ai u shfaq 13 minuta pasi hyri në lojë ndaj Francës me një ndërhyrje ndaj Matuidi me këmbën e shtrirë, por mori përsëri “vetëm” të verdhë”, shkruhet nga e përditshmja gjermane, duke analizuar lojën agresive të futbollistit.

Ajo thekson se prova e tij ishte bindëse ndaj ai ishte titullar dhe siguroi 90 minuta në “fitoren brilante 4-2 ndaj Islandës”. Tani në Gjermani presin që Gjasula të vazhdojë të jetë titullar me klubin e tij, ku tashmë do të sjellë me vete edhe eksperiencën e rëndësishme ndërkombëtare me fanellën kuqezi.



Skip to toolbar