Prokuroria e Krimeve të rënda ka kërkuar arrest me burg për 24 personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Limit”, ndërkohë që janë zbardhur edhe telefonatat e përgjuara.
Në total 58 është numri i personave të arrestuar të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike dhe kalim të paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme drejt Europës.
Prokuroria ka transkriptuar bisedën e Olger Bamllarit, menjëherë sapo ka marrë vesh se xhaxhai i tij Genci Bamllari është arrestuar. Ata flasin për personat qe janë arrestuar, ku i kërkojnë njëri tjetrit të heqin edhe adresat në rrjetin social “Facebook”, dhe të mbajnë vetë një numër kontakti.
Ai komunikon me telefon me Aleksandër Pepin edhe ky i arrestuar në vijim të hetimeve. Në bisedë Olgeri i kërkon Aleksandrit të dalë me urgjencë, gjë që ka bërë prokurorinë të dyshojë se ai është një person i përfshirë në grupin e strukturuar kriminal. Aleksandër Pepi ishte gjithashtu i njohur me emrin (Bani). Biseda telefonike është regjistruar më 17 dhjetor 2018.
Bani: Ë mo vlla!
Olgeri: Ku je o ?
Bani: Në shpi
Olgeri: Zbrit poshtë urgjent!
Bani: Ja erdha
Olgeri: Aj
Në vijim të transkriptimeve telefonike është regjistruar edhe biseda mes Olger Bamllarit dhe Andrea Kapuranit. Andrea thotë se e kishte marrë për ta pyetur për xhaxhain dhe Olgeri konfirmon se e kishin kapur.
Një ditë më pas, Olger Bamllari bisedon me Vangjush Kapuranin dhe e pyet për xhaxhain.
Bamllari: Alo!
Kapurani: E mo, Geri!
Bamllari: E mo !
Kapurani: E mo unë s’dinja gjë dje mo, sot e mora vesh në mëngjes
Bamllari: Eo
Kapurani: Bo bo bo . Ndonjë spiunllëk, ndonjë kshu ëëë?
Bamllari: Po spiunllëk o, s’ka tjetër
Kapurani: Po. Po. Mirë o
Operacioni “Limit” i policisë së shtetit në bashkëpunim me policinë greke goditi 4 grupe kriminale që operonin në trafikun e drogave të forta brenda dhe jashtë vendit. Bilanci paraprak i operacionit “LIMIT” u njoftua të premten në një deklaratë për mediat nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara.