Nga Rama te Basha, si nisi shkolla për politikanët

AKTUALITET


Politikanët kanë nisur ditën e hënë me urimin për nisjen e vitit të ri shkollor. I pari që ka shpërndarë në facebook urimin e tij ka qenë presidenti Ilir Meta. Ai ka zgjedhur disa foto të vjetra me nxënësit, ndërsa bën të ditur se “dija është e domosdoshme për të përballuar dallgët e jetës”.

Meta: Dija është e domosdoshme për të përballuar dallgët e jetës

Ndër të tjera Presidenti Meta ka uruar edhe mësuesit duke u përcjellë mirënjohjet e tij  për punën e palodhur. Po ashtu Meta u ka bërë  thirrje të gjithë prindërve të fëmijëve që kanë braktisur shkollën që të rikthehen në institucionin e dijes. Sipas Metës investimi në dije është investimi më i sigurt për të ardhmen europiane.

“Sot ju hidhni hapin më të madh e më të rëndësishëm, suksesi i të cilit, do ju ndihmojë të fitoni garat e tjera të jetës. Me mësuesit, si udhërrëfyes e bashkëudhëtarë, jam i bindur se do të jeni një brez i ditur që do t’ja ndriçojë edhe më shumë emrin Shqipërisë. Uroj gjithashtu shumë suksese edhe për të gjithë nxënësit në këtë vit të ri shkollor, në përpjekjet e tyre për nxënien e dijeve të reja, aq të domosdoshme në përballimin e dallgëve të jetës. Mirënjohjen më të thellë për të gjithë mësuesit, që me punë të palodhur, përkushtim e sakrifica arsimojnë denjësisht brezat e rinj. Përmbushje me sukses të misionit tuaj fisnik të edukimit! Gjithashtu sot është dita për t’ju bërë një thirrje edhe të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen asaj sa më parë.

Prioriteti kryesor i një shoqërie, që ka besim tek e ardhmja plot sfida, është vetëm duke investuar në dije dhe arsim tek gjenerata më e re. Ky është investimi më i sigurtë për të ardhmen tonë europiane.

Vetëm kështu ne mund të rrisim shpresën dhe besimin se do t’i kapërcejmë me sukses sfidat e së ardhmes, në radhë të parë në interesin e fëmijëve tanë, të cilët janë drita e syve, shpirti dhe zemra e çdo familjeje shqiptare, dhe e shoqërisë sonë”, shkruan Meta.

Rama: Do të ndërtojmë shkolla të reja

Ndërsa kryeministri Rama e nisi ditën e parë të shkollës në shkollën e re të “Servete Maçi” në Tiranë ku përveç urimit bëri të ditur se deri më tani janë 200 shkolla të rikonstruktuara nga qeveria ndërkohë që premtoi ndërtimin e disa shkollave të reja.

Ndër të tjera Rama është ndalur tek librat falas për fëmijët nga klasa e parë në të pestën.  Ai ka thënë se vitin tjetër do të punohet që të ofrohen libra falas edhe për klasën e 6 dhe të 7.

“E rëndësishme të thuhet se përtej infrastrukturës që po transformohet numërojmë afro 200 shkolla të rindërtuara. Do të shtohen të tjera në vijim. Do t’i çojmë përpara me një ambicie te re të rindërtimit dhe ndërtimit të shkollave. Të jenë një model i ri të shkollës të kësaj kohe që jetojmë. Kur infrastruktura është aty dhe logjistika është aty ajo që ka rëndësi është përmbajta e procesit. Kemi një sistem jashtë kthetrave të politikes, apo imponimeve të rryshfetit. Jo gjithçka është ‘flori’, kemi probleme.

Vitin e  ardhshëm do përfshijmë klasën 6-7 tek lista e nxënësve që i përfitojnë librat falas. Më pas nga klasa e parë në të 9, librat do të jenë falas për të gjithë”, është shprehur Rama.

Veliaj: Mësimi me dy turne do të marrë fund

Kryebashkiaku Veliaj ka thënë se në vitin e ardhshëm ashtu siç janë ndërtuar në vitet e mëparshme që ai drejton bashkinë e Tiranës, do të ndërtohen edhe së paku 17 shkolla të tjera të cilat do t’i japin fund mësimit me dy turne në shkollat e Tiranës.

“Çdo shtator hapet një shkollë e re. Do të hapen 17 shkolla të tjera. Do t’i japim fund dy turneve. Ka qenë ideja e Edit që thoshte dil nga korniza. Dhe ne e bëmë këtë. Është dizenjuar nga studentë të sapodiplomuar. Mirënjohje të veçantë , por jo vetëm me ata që kanë bërë punën fizike, por edhe të tjerët që kanë kontribuar”, është shprehur Veliaj.

Basha uron nga facebook: Një e ardhme më e mirë do vijë për Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zgjodhi facebook-un për të uruar nxënësit për vitin e ri shkollor. Ndër rreshta nuk ka lënë pas edhe politikën, kur thotë se një e ardhme më e mirë do të vijë për Shqipërinë, dhe do të jetë e afërt.

“Të dashur nxënës, prindër dhe mësues,  ju uroj nga zemra vit shkollor të mbarë dhe të ndriçuar nga drita e dijes! Lulet që mbajnë sot vogëlushët në duar janë simboli i shpresës dhe besimit tek një e ardhme më e mirë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, që nuk do të vonojë!”, shkruan Basha në facebook.

Ruçi në Fier: Arsimi profesional nxit punësimin e të rinjve

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i uroi nxënësit nga shkolla “Petro Sota” në Fier ku vuri theksin tek arsimi profesional.

Ruçi tha se duket t’i kushtohet më shumë rëndësi arsimit profesional, pasi ai nxit punësimit më shpejt të të rinjve.

“Numri i nxënësve që ndjekin arsimin profesional është disa -fishuar gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, të diplomuarit e arsimit profesional janë gati dyfishuar krahasuar me  vitin 2013.

Arritjet në sistemin arsimor duhet t’i krahasojmë me ndikimin në shoqëri, në tregun e punës, në të ardhurat dhe në nivelin e jetesës së qytetarëve. Në këtë kontekst, duhet të reflektojmë, të nxjerrim  përfundime, të gjejmë rrugëzgjidhje për dy çështje themelore të tregut të punës dhe sistemit të mirëqenies: Nivelin e papunësisë rinore dhe hendekun gjinor në paga, pra pagat më të ulëta të grave e vajzave.

Megjithë përmirësimet në shkollimin profesional dhe arritjet në tregun e  punës, papunësia rinore është ende rreth dy herë më e lartë se papunësia e popullsisë së rritur. Kjo ndodh për shumë arsye. Por unë shfrytëzoj këtë ditë për të bërë apel për më shumë burime dhe investime për formimin dhe arsimin profesional, të cilin duhet ta shndërrojmë në një destinacion të pëlqyeshëm dhe të preferuar të rinisë”, është shprehur Ruçi



Skip to toolbar