Krimet e Rënda kanë arritur të zbulojnë pas 18 muajsh dy persona që i shpëtuan policisë kur po tentonin të trafikonin nga Shqipëria në Mal të Zi drogë, armë dhe municione. Rasti në fjalë ka ndodhur në mars të vitit 2018, kur dy personat e arrestuar të martën, duke shfrytëzuar edhe errësirën, kanë braktisur mallin dhe sendet e paligjshme dhe i janë arratisur uniformave blu.
Në lidhje me këtë rast, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në fshatin Selcë të Malësisë së Madhe, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasve Rr. P., 23 vjeç dhe M. P., 21 vjeç, të dy banues në fshatin Selcë, Malësi e Madhe. Për këta dy persona, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”. Sipas të dhënave, më datë 10 mars 2018, dy shtetas nëpërmjet kufirit të gjelbër, nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, në vendin e quajtur Shkalla e Selcës, kanë tentuar të trafikojnë lëndë narkotike (cannabis sativa), armë dhe municione, por pasi janë hasur nga shërbimet policore, duke shfrytëzuar errësirën dhe terrenin malor janë larguar duke i braktisur ato.
Nga Seksioni i Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë në bazë të informacioneve policore mbi personat e dyshuar, për një periudhë 18-mujore ka vazhduar hetimi për mbledhjen dhe sigurimin e provave ligjore për autorësinë e këtij rasti dhe nga tërësia e veprimeve policore dhe hetimore u arrit që të dokumentohet ky rast trafikimi. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 74 kg lëndë narkotike, 1 armë zjarri dhe fishekë luftarakë.