Shahini: Nesër të gjithë në mësim, vetëm dy shkolla nuk hapen

AKTUALITET


Ministrja e Arsimit Besa Shahini njofton se të martën nis mësimi normalisht në të gjitha shkollat e Tiranës, Durrësit e Elbasanit, ku u bë pushim e hëna për shkak të tërmetit. Ministrja njofton se nga verifikimet në terren vetëm dy shkolla nuk do të hapen të martën, por nxënësit do të bëjnë mësim në një shkollë tjetër dhe për ta është siguruar edhe transporti.

“Siç njoftuam edhe dje, të gjitha shkollat janë gati për të rifilluar mësimin. Aty ku ka patur plasaritje, janë mbyllur dje nga ekipet që punuan deri natën vonë. Dy shkolla vartëse nuk do të hapen nesër, por nxënësve u është siguruar transport për tek shkolla qendër. Shpresoj që nxënësit dhe prindërit pushuan dhe u qetësuan sot. Nesër të gjithë në mësim,” shkruan ministrja. Edhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës dhe kryetari i bashkisë së Elbasanit siguruan se shkollat janë gati që të martën të nisë mësimi si normalisht.

Pas tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin të dielën pasdite qeveria vendosi që të hënën të mbyllen në Tiranë, Durrës dhe Elbasan çerdhet, kopshtet dhe shkollat me qëllim qetësimin e fëmijëve. Gjithashtu, pushim u lanë edhe punonjësit e administratës që kanë fëmijë në çerdhet, kopshtet dhe shkollat në këto  qarqe.  Të martën mësimi rifillon normalisht.



Skip to toolbar