Holanda është një nga vendet më skeptike të BE për sa i përket integrimit të Shqipërisë. Skepticizmi vjen edhe nga Franca, por duket se qëndrimi i presidenti Macron ka të bëjë më shumë me çështjet e brendshme të BE se sa Shqipërinë. Pas dhënies së një vendimi historik pro Shqipërisë për hapjen e negociatave nga Gjermania, pritet që kjo të ndikojë edhe në zbutjen e qëndrimit të skeptikëve. Vetë Holanda do të marrë vendimin në parlamentin e saj më 8 tetor, ku pritet të konfirmojë qëndrimin që ky vend anëtar i BE do të mbajë në samitin e 18 tetorit, për çeljen e negociatave apo jo për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në datë 4 tetor qeveria e Holandës do t’i drejtohet parlamentit me një letër për negociatat për Shqipërinë dhe më 8 tetor parlamenti holandez pritet të marrë një vendim.
Megjithatë shpresat për hapjen e tyre janë të mëdha, pasi edhe vetë Gjermania është angazhuar për të lobuar drejt këtyre dy vendeve skeptike për të hapur negociatat me Shqipërinë. Pas miratimit të rezolutës pro në Bundestag me disa kushte që lidhen me kapitujt pas hapjes së negociatave, Gjermania shpreson që të bind Francën dhe Holandën me kushtet që ajo i ka vendosur Shqipërisë, ku ndër të tjera kërkohet implementimi sa më i shpejtë i reformës në drejtësi, ngritja e gjykatës Kushtetutës dhe asaj të Lartë, dhe rezultatet konkrete të luftës ndaj korrupsionit në nivele të larta qeverisëse.