“70 mijë vota firo”, analiza në Real Story: PD nuk po bind të lëkundurit

POLITIKË


PD nuk po arrin të gjejë formulën për të bërë për vete elektoratin gri, atë që bëri në kohën kur drejtohej nga Berisha. Ky është problemi i opozitës sipas analistëve të ftuar në Real Story të Sokol Ballës në Neës 24, ndërsa diskutonin në pjesën e dytë të emisionit mbi sondazhin që nxjerr në rënie me rreth 70 mijë vota opozitën, rënie e ndjeshme gjatë muajit gusht dhe shtator.

Të ftuar për të diskutuar mbi sondazhin e realizuar nga Eduard Zaloshnja, ishin të ftuar analistët Agron Gjekmarkaj, Alfred Lela dhe Arian Vasjari, të cilët pavarëisht se u treguan skeptik mbi sondazhin për rënien e ndjeshme të PD, ata u shprehën se kjo forcë politike nuk po arrin ende të gjejë “çelësin e suksesit” për të ardhur në pushtet.

Analisti Eduard Zaloshnja  tha se sipas sondazhit rezulton se Partia Demokratike ka shënuar një rënie të madhe. Nga të dhënat e realizuara nga Zaloshnja shihet se PD ka humbur 70 mijë vota, vetëm përgjatë muajit gusht-shtator 2019.

Këto shifra janë kundërshtuar nga Gjekmarkaj i cili u shpreh nuk ka asnjë arsye që të ketë një rënie të tillë nga PD. Sipas tij, ajo që ka rënie është mazhoranca, pasi është në sulm ndërkombëtar, që nga kushtet e Gjermanisë, “JO-ja” e Holandës, gjyqi i Saimir Tahirit, duke e cilësuar këtë të fundit si një “puçërr me qelb” për drejtësinë.

Por, Alfred Lela, pavarësisht skepticizmit të shifrave deklaroi që Partia Demokratike nuk po arrin të mbledhë ata votues që nuk janë as të saj, por as të mazhorancës. Duke ironizuar për 85%, Lela vuri në dukje se “T’i premtosh majën qytetarëve dhe më pas ta braktisësh atë, padyshim që ka impaktin e saj te votuesit”.

Ndërsa Vasjari deklaroi se opozita duhet të jetë më atraktive. “PD ka nevojë për të ndërtuar një model për të qenë atraktive, jo për ata që janë larguar, por për ata që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e PD”, tha analisti Vasjari.



Skip to toolbar