Kryeministri Edi Rama tha gjatë seancës së te enjtes në Kuvend se një prokuror në Durrës bashkëpunon me grupet kriminale dhe i bën shantazh shtetit. Gjatë të premtes zëvendës kryeministri Erion Braçe ka zbuluar emrin e prokurorit në fjalë. Ai është prokurori i çështjes së Liridon Pulës, drejtor i Kadastrës Shtetërore në Durrës.
Edhe Braçe nuk e përmendi emrin, por prokurori i çështjes në fjalë, është Arian Ndoja.
“Në ALUIZN-in e Durrësit ka pasur probleme të vjetra, në mënyrën se si janë administruar këto zyra, dhe kohë pas kohe ka pasur lëvizje të drejtuesve dhe procedime penale. Prokuroria ka ngritur një akuzë kundrejt drejtuesit të zyrës së re, të Kadastrës. Më takonte të isha këtu për të parë akuzën që ka ngritur prokurori ndaj një punonjësi të shtetit shqiptar. Pa më të voglin diskutim që është akti final i një historie të gjatë gati një mujore, presioni, shantazhi kriminal mbi punonjësin që sot ishte me pranga në sallën e gjyqit. Ai punonjësi i shtetit atje sipër pavarësisht shantazhit në të cilin ka qenë ka refuzuar të bëhet pjesë e këtyre veprimeve kriminale dhe unë dyshoj shumë pas asaj që dëgjova përreth një orë e gjysmë që e gjithë akuzua e ngritur me të është e paprovuar por ka edhe lajthitje marramendëse që u referohen rregulloreve. Të akuzosh për shpërdorim detyre duhet të provosh që vepra që ka konsumuar është kryer me dashje. Nuk është i akuzuari që sjell prova, por prokurori që duhet të vërtetojë fajësinë. E kuptoni se në ç’shkelje të rëndë kushtetuese është ky prokuror?
Reforma në drejtësi duhet të marrë para gjithë këtë pisllëk zhuli. Ky është vetëm një rast. Imagjino sa raste ka që qytetarët merren në qafë nga zhuli dhe krimi që është instaluar në sistemin e drejtësisë. Janë disa njerëz që nuk kanë kaluar në vetting që duhet të kapërcejnë çdo lloj radhe për të kaluar në veting për t’i dhënë fund krimit përkundrejt interesit publik”, është shprehur Braçe.
Prokurori Ndoja ishte i pranishëm në seancën gjyqësore të së premtes, ku Gjykata e Durrësit vendosi masë sigurie arrest me burg për Liridon Pulën, një masë që sipas Braçes është e pabazuar në ligj duke thënë se po akuzohet për çështje që nuk i përkasin, pasi Pula ka vetëm pak muaj që është emëruar në krye të zyrës së Kadastrës së Durrësit.
Akuzat e ngritura nga prokuroria janë se Liridon Pula, së bashku edhe me zyrtarë të tjerë, dyshohet të kenë tjetërsuar dhe abuzuar me pronat, kryesisht në bregdet.
Po kush është Arian Ndoja?
Nga një kontroll në faqen zyrtare të KPK-së (Komisionit të Vettingut), rezulton se Arian Ndoja ende nuk është përballur me hetimin dhe kontrollin e pasurisë. Por të dhënat e ofruara nga deklaratat e tij të pasurisë rezulton se Ndoja e ka 10-fishuar pasurinë e tij brenda 4 vitesh.
Arian Ndoja më 28 janar 2008 është emëruar prokuror në Durrës, pasi ishte liruar nga detyra e prokurorit nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku.
Gjatë kohës që nuk ka qenë prokuror, Ndoja ka bërë avokatin. Në kohën që ai ka qenë avokat, Ndoja ishte edhe mbrojtësi ligjor i Arian Selimit, i akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine.
Gjatë vitit 2004, Ndoja deklaron një pasuri prej 20 mijë euro dhe 200 mijë lekë. Dhe pas katër viteve, pikërisht në vitin 2008 ai rezulton me një pasuri mbi 760 mijë euro.
Në vitin 2016, Arain Ndoja ka deklaruar se ka në pronësi, 21 apartamente që ndodhen në Shëngjin, 3 bodrume, pemëtore dhe një ndërtesë truall në Krujë.