Rrëmbehet 13-vjeçarja te ish-Parku në Tiranë, policia në alarm

AKTUALITET


Një vajzë e mitur është rrëmbyer në Tiranë, duke vënë në alarm policinë, e cila ka ngritur disa postblloqe, me qëllim kapjen e autorit dhe lirimin e vajzës. Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur në afërsi të ish-Parkut të autobusëve, ndërsa uniformat blu janë vënë në ndjekje të automjetit, me të cilin është rrëmbyer vajza që deklarohet se është 13 vjeçe.

“Në rrugën “Ndre Mjeda” dyshohet se një person ende i paidentifikuar, ka marrë jashtë dëshirës në automjet një 13 vjeçare dhe është larguar me shpejtësi. Policia është vënë në ndjekje të automjetit dhe po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e personit”, deklaroi policia, e cila ende nuk ka informacion mbi rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë.

Sipas të dhënave paraprake të policisë, vajza e mitur ka qenë duke u kthyer nga shkolla me motrën e saj, kur e ka marrë një person me një makinë tip “Fiat”, me ngjyrë të kuqe. Vajza që është rrëmbyer sapo ka zbritur nga furgoni i shkollës, është me inicialet S.B. dhe sipas të dhënave që raportojnë mediat, ajo është me diabet tipit 1 dhe është me përdorim insuline 4 herë në ditë.



Skip to toolbar