“Bleva bukë me qofte, gjeta copa qelqi”. E vërteta e helmimit të nxënësve në Shkodër

AKTUALITET


“Shkova një ditë për të blerë bukë me qoftë dhe brenda më qëlloi një copë qelqi. Shkova për t’ia kthyer por shitësi më tha se nuk është qelq. Dy shokë të mi që i njoh dhe i kam në shkollë janë helmuar dhe kanë shkuar në spital”. Kështu tregon një nga nxënësit e shkollës “Adem Haxhija” në Postribë pasi shumë prej shokëve të tij janë shtruar prej disa ditësh në spital me simptomat e helmimit, dhimbje barku dhe të vjella.

Të paktën 60 nxënës janë paraqitur në spitalin e Shkodrës, pasi shfaqën shenja helmimi. Shefja e Infektivit në Shkodër Rezarta Bazhdari deklaroi për News 24 se vetëm brenda 24 orësh ka pasur 34 raste të tilla, ku 8 nxënës aktualisht vijojnë të jenë të shtruar.

Bëhet fjalë për nxënësit e një shkolle në Postribë, të cilët u helmuan pasi konsumuan ushqim pranë institucionit arsimor. Bazhdari tha se situata aktualisht është nën kontroll dhe se nuk ka vend për panik, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për intoksikim. Mes të tjerash ajo tha se bluzat e bardha janë në pritje të rezultatit të analizave.

“Për 24 orë janë 34 raste, ndërkohë 8 janë të shtruar. Situata është nën kontroll. Nuk ka vend për panik. Spitali po e përballon situatën. Edhe këto raste janë me intoksikim. Janë marrë mostrat për të bërë analizat që të nxirren agjentët shkaktues. Jemi në kontakt me familjarët për t’i qetësuar ata sepse situata është e menaxhueshme”, tha shefja e Infektivit në Shkodër.



Skip to toolbar