Nuk kapi SPAK, Prela “strehim” te Marku

AKTUALITET


Prokurorja e Krimeve të Rënda Donika Prela i është drejtuar përmes një shkrese Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilit i kërkon emërimin e saj në Prokurorinë e Përgjithshme.

Këshilli i Lartë i prokurorisë konfirmon se kërkesa e prokurores Prela është depozituar pranë këtij institucioni në ditët e para të tetorit.

Aktualisht Donika Prela është drejtuese e komanduar e prokurorisë për Krime të Rënda, por me krijimin e SPAK, ky organ shkrihet, çka për Prelën do të thotë rikthim në Prokurorinë e Durrësit, aty edhe ku ka emërimin.

Kërkesa e Prelës fillimisht do të shqyrtohet nga Komisioni i Karrierës e më pas KLP do të dalë me një vendim.

Vetëm pak ditë më herët prokurorja Donika Prela u përjashtua nga gara për një vend në KLP. Asambleja e Përgjithshme e Prokurorisë e përjashtoi prokuroren Donika Prela për shkak se ajo mbërriti me vonesë në mbledhje. Vendi bosh në KLP u fitua me shumicë votash nga prokurorja Esmeralda Keshi.

Më herët Donika Prela është përjashtuar edhe nga kandidimi për një post në SPAK. KLP nuk e përfshiu kandidaturën e saj në listën e 15 kandidatëve të SPAK, duke mos dhënë shpjegime./realstory.al



Skip to toolbar