KLP shpall listën: 15 emrat e kandidatëve për SPAK. Mbeten jashtë Prela e Hajdarmataj

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar në mbledhjen e së martës listën me 15 kandidatët për anëtarë të SPAK.

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi pasi lexoi listën tha se nuk është përfundimtare pasi do të pritet përfundimi i të dy etapave të vettingut për këta kandidatë.  “Kjo nuk do të thotë se kjo listë është përfundimtare dhe se SPAK do të ngrihet menjëherë. Por do mbetemi në pritje të ecurisë së vettingut. Vetëm pasi kanddiatët të kalojnë dy etapat e vettingut atëherë do të marrim vendimin për krijimin e Prokurorisë së Posaçme”, tha Ibrahimi.


Ndërkohë, KLP ka vendosur të përjashtojë nga gara disa prej emrave të njohur të sistemit të drejtësisë, siç është drejtuesja aktuale e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, si dhe ish-kreun e kësaj Prokurorie, Besnik Hajdarmataj.

Gjithashtu, janë përjashtuar edhe dy prokurorët Dritan Prençi e Vladimir Mara, të cilët njihen si prokurorët e dosjeve “të nxehta”.

Kandidatët për anëtarë të SPAK:

Altin Dumani

Anton Martini

Elisabeta Imeraj

Arben Kraja

Doloreza Musabelliu

Klodian Braho

Enkelejda Millonai

Manjola Kajana

Edvin Kondilli

Ened Nakuçi

Elida Kackini

Behar Dibra

Besnik Muçi

Anila Jella

Ndini Tavani

KLP zbulon kandidatët që përjashtohen nga gara

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka publikuar në mbledhjen e së martës raportin mbi procesin e vlerësimit të kandidatëve që kanë aplikuar për të qenë anëtarë të SPAK.

Raporti është lexuar nga Relatori i Komisionit të Posaçëm për SPAK, Sandër Beci, i cili bëri të ditur se për të qenë anëtarë të SPAK kanë aplikuar gjithsej 28 kandidatë, prej të cilëve 3 nuk plotësonin kriteret dhe njëri është pezulluar nga vettingu dhe është përjashtuar nga gara.

Konkretisht sipas KLP-së, kandidati Gëzim Cena nuk plotëson kushtet për të qenë anëtar i SPAK pasi nuk ka punuar asnjëherë si prokuror. Kandidatët Fatmir Hoxha dhe Irena Nino që të dy kanë punuar si prokurorë dhe kanë eksperience pune mbi 10 vjet sikurse e parashikon ligji, por që të dy janë larguar me kërkesën e tyre nga sistemi. Por futja sërish në sistem ka një sërë procedurash më të komplikuara se sa është kërkesa për ngritje në detyrë. Ndaj dhe kandidaturat e tyre përjashtohen nga gara për SPAK.

Një tjetër prokuror që largohet nga gara për SPAK është edhe Eugent Beci për shkak se ai është shkarkuar nga detyra nga komisioni i Vettingut. “KLP vendosi pezullimin e garës për kandidatin Eugent Beci”.

Relatori Sandër Beci bëri të ditur se në procesin e vlerësimit të kandidatëve është përfshirë edhe ekspertiza ndërkombëtare e EURALIUS dhe e OPDAT.

“Me Euralius dhe Opdat është diskutuar metodologjia për kriteret e vlerësimit të kandidatëve të SPAK”, tha Beci, i cili lexoi kriteret specifike mbi bazën e të cilave do të përzgjidhen prokurorët që do të jenë anëtarë të SPAK, të cilët duhet të japin prova konkrete se në punën e tyre kanë qenë të sukseshëm veçanërisht në luftën kundër korrupsioni, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Ngritja e SPAK është një strukturë që rrjedh nga Reforma në Drejtësi dhe po kërkohet me ngulm nga ndërkombëtarët që të jetë sa më shpejt funksionale. Kjo strukturë do të vërë para drejtësisë zyrtarët e lartë dhe politikanët e niveleve të larta të akuzuar për afera korruptive.




Skip to toolbar