Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa shprehet se do të takohet me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, për të diskutuar mundësinë e bashkëqeverisjes. Mustafa shprehet se në 6 tetor u ndëshkuan ata që qeverisën keq, ndërsa tani do të vijohet aty ku u la para zgjedhjeve, pra nisjen e negociatave për koalicionin paszgjedhor me Vetëvendosjen.
“Në zgjedhjet e 6 tetorit LDK mori përkrahje të gjerë nga qytetarët tanë. Qytetarët ndëshkuan ata që qeverisën keq. Në një garë tepër të ngushtë, 50:50, fituesi, LDK apo VV, do të dihet përfundimisht pasi të përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave. Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, Vjosa Osmani, do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së”, shkruan Isa Mustafa.
Koalicioni parazgjedhor mes LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk u arrit, pasi të dyja palët nuk ranë dakord për çështjen e Kryeministrit. Lidhja Demokratike erdhi me kandidaten për Kryeministre Vjosa Osmani, ndërsa Vetëvendosja me kryetarin e saj Albin Kurti. Megjithatë, Koordinatori i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi, deklaroi të hënën në “Real Story”, se në diskutimet para fushatës elektorale ishte deklaruar se “partia që do të ketë shumicën e votave në zgjedhje, do të ketë dhe Kryeministrin”.
Deri më tani, me rezultatin paraprak të zgjedhjeve në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje është para LDK-së me vota, ndërsa Albin Kurti e tha prerë natën e shpalljes së fitores, se “unë do të jem Kryeministër”, megjithatë, i bëri ftesë publike LDK-së për të diskutuar mundësinë e bashkëqeverisjes. Ndërsa të martën, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) rrëzoi tre kërkesat e partive politike, LDK, PDK dhe Nisma për rinumërim të votave në Kosovë. Ndërkohë, Arbër Zaimi, në studion e “Real Story”, u shpreh se Vetëvendosja nuk negocion tre pozicione të rëndësishme, veç Kryeministrit dhe Ministrinë e Drejtësisë, Financave dhe atë të Punëve të Brendshme.