“Njerëz të Bashës dolën garant për Babalen”, Alizoti rëndon Salianjin

POLITIKË


Fredi Alizoti ka hedhur akuza të reja kundrejt Ervin Salianjit, sipas të cilit e kishte informuar se “Njerëz të Lulzim Bashës pritën në një shtëpi private në Bruksel familjen e Albert Veliut i njohur edhe si “Babalja”. Gjatë seancës në Gjykatën Penale, Alizoti tha se vetë Salianji ia kishte dhënë këtë informacion.

Ervin Salianji më tha se në Bruksel familjen e Veliut e ka rregulluar Lulzim Basha. Atje e kanë pritur njerëzit e Lulzim Bashës në një shtëpi private. Këto na i thoshte Salianji”, – u shpreh Alizoti.

Fredi Alizoti akuzohet se imitoi në audio-përgjimin zërin e Agron Xhafës, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ku e përfshinte në trafikun e drogës. Alizoti deklaroi më herët se e gjithë kjo është e stisur nga PD-ja dhe se ish deputeti Salianji i kishte premtuar 200 mijë euro për rolin  tij. Gjatë seancës edhe avokati i Agron Xhafës, Ardian Visha, tha se është vërtetuar me ekspertizë italiane që zëri në audio-përgjim ku flitet për trafik droge, nuk është i vëllait të ish-ministrit të Brendshëm.

Pas seancës ka reaguar për mediat edhe Salianji, i cili nga dera e Gjykatës Penale nuk ka dhënë përgjigje për akuzat e bëra nga Alizoti në sallën e gjyqit por ka zgjedhur të bëjë denoncime të reja. Salianji tha se avokati i Agron Xhafajt dhe prokuroria  ka falsifikuar aktin e ekspertimit dhe ka çuar për ekspertizë në Angli zërin që nuk dihet i kujt është.

 “Sot dua t’ju paraqes disa prova të reja, më kryesorja është falsifikimi i aktit të ekspertimit, nga ana e prokurorisë dhe avokatit të Agron Geron Xhafajt. Më datë 15, sipas prokurorisë në orën 14:15 Agron Geron Xhafaj jep mostrat e zërit Prokurorinë e Tiranës pranë  OPGJ-së, Gabon Vrioni dhe ekspertit të kriminalistikës Dritan Zota. Proçedurialisht është marrë zëri në rregull duke pasur oficerë të policisë gjyqësore, ekspertë kriminalistikë dhe në prani të prokurorit.

Në datë 16, një ditë pasi ne kishim bërë publikimin e skandalit, Agron Xhafaj dorëzohet vullnetarisht për të kryer dënimin në Itali prej 7 viteve dhe 4 muaj burg, pavarësisht se kishte 10 vite që jetonte i lirë në Shqipëri.

Për ekspertizë në Itali dhe pas refuzimit të Italisë sepse nuk ishte marrë zëri në mënyrën e duhur nga ana proçeduriale, në Angli nuk dorëzohet dhe nuk dërgohet kampioni i zërit të marra nga ana e prokurorisë Tiranë sipas proçedurës, por dërgohen dy mostra të tjera të marra më 22.07.2018 dhe 25.07.2018, kohë në të cilën Agron Xhafaj nuk ndodhej në Shqipëri, por në burg në Romë.

Në procesverbalin që kemi kërkuar në Gjykatë, të marrjes së mostrave, kemi kërkuar se kush është oficeri apo prokurori, apo eksperti kriminalistik që ka marrë modelet e zërit në Agron Xhafajt, dhe ku i mori. I mori në burg në Romë, apo në Tiranë?

Në dosje është administruar vetëm mostra e marrë më datë 22.07.2018e cila po ju citoj: “Është një bisedë midis Geron Xhafajt me një shtetas tjetër” dhe këtë e ka dorëzuar vetëm avokati i Geron Xhafajt, Ardian Visha.

Pra prokuroria në shkelje të ligjit dhe në falsifikim të plotë, ka çuar për akt ekspertim në Angli jo mostrat e zërit që janë marrë vetë nga ana e prokurorisë, por ka dërguar një mostër zëri e cila nuk dihet nga vjen, nuk është marrë në formën e duhur ligjore dhe për të cilën nuk dihet nëse zëri i regjistruar është i Agron Xhafajt apo është i Alfred Alizotit.” tha Salianji për mediat, ndërsa foli dhe për katër dënimet që ka gjetur deri tani të dëshmitarit të rremë.



Skip to toolbar