“Meta shkeli Kushtetutën. Kur flet Venecia të gjithë duhet të heshtin”

AKTUALITET


Në prag të daljes së opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias për presidentin Meta, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi të mërkurën se Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën, pasi i ka hequr të drejtën qytetarëve për të zgjedhur, përmes aktit të tij të çdekretimit të datës së zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndër të tjera, Balla i dërgoi një mesazh dhe kritikëve të Komisionit të Venecias, teksa tha se kur ky komision flet, të gjithë duhet të heshtin.

“Kërkesa jonë flet për një shkelje të rëndë të Kushtetutës, sepse kush i heq të drejtën popullit për të zgjedhur, shkel rëndë Kushtetutën. Kam dëgjuar një lumë kritikash përkundrejt Komisionit të Venecias dhe dua t’i them kujtdo, madje dhe ndonjërit që fjalën shkollëpak e përdor shumë, që Komisioni i Venecias është organi, ekspertiza, e gjithëpranuar jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, dhe që kur ky komision flet, gjithë të tjerët duhet të heshtin”, tha Balla.


Më tej, Balla deklaroi se Komisioni i Venecias ka meritë në bërjen e Kushtetutës së Shqipërisë, pasi Kushtetuta që kemi sot, ka marrë dhe ka qenë pjesë e një procesi ekspertize të dhënë nga vetë Venecia.

“Jam një prej palëve të ftuar në Komisionin e Venecias për të sjellë këndvështrimin tonë. Dua të ndaj me ju që edhe ne kemi bërë disa komente të bazuara në raportin paraprak, që padyshim janë pjesë e procedurës strikte të Komisionit të Venecias. Kam dëgjuar një lumë kritikash përkundrejt Komisionit të Venecias dhe dua t’i them kujtdo, madje dhe ndonjërit që fjalën shkollëpak e përdor shumë, që Komisioni i Venecias është organi, ekspertiza, e gjithëpranuar jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, dhe që kur ky komision flet, gjithë të tjerët duhet të heshtin. Komisioni i Venecias ka meritë të veçantë në historinë e shtetbërjes të Kushtetutës së Shqipërisë. Kjo Kushtetutë që kemi, ka marrë dhe ka qenë pjesë e një procesi ekspertize të dhënë nga Venecia. Dua që të gjithë ta presin me respekt verdiktin e Venecias dhe pastaj kush u zotua që do mbajë fjalën, ta mbajë”, deklaroi numri dy i PS.

Në opinionin paraprak Komisioni i Venecias vlerësoi se presidenti Ilir Meta ka tejkaluar kompetencat që i njeh kushtetuta përmes vendimit për anulimin e datës së zgjedhjeve ndërsa ka shkelur edhe të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë që është e drejta zgjedhjes përmes votës. Ky raport paraprak është kundërshtuar ashpër si nga presidenti Meta ashtu edhe nga përfaqësues të opozitës, veçanërisht nga LSI. Meta ka deklaruar se “Venecia tejkaloi kompetencat pasi komentoi zgjedhjet”. Pritet që Komisioni i Venecias të nxjerrë raportin përfundimtar për këtë çështje më 12 tetor./realstory.al




Skip to toolbar