Përplasje në PS Durrës, kandidati për kryetar akuzon kreun aktual

POLITIKË


Një situatë aspak e qetë tek socialistët e Durrësit, që përgatiten për zgjedhjet e reja në degë. Një arsye me sa duket kanë qenë emërimet e reja, ndërkohë që flitet për një sherr fizik madje mes kreut të PS Durrës Luan Zaza dhe sekretarit të këshillit Bashkiak Armand Traga, që vjen nga LSI dhe për të cilin është propozuar shkarkimi. Por në PS Durrës duket se palët janë ndarë në dy kampe.

Ardit Kërtusha, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar të PS Durrës ka konfirmuar për “BalkanWeb” se “ka marrë kërcënime nga kreu aktual i PS Luan Zaza”. Nga ana tjetër vetë Zaza mohon se ka probleme në Partinë Socialiste Durrës.

Sa i përket akuzave të kandidatit Kërtusha, kreu i PS Durrës thotë se nuk ka pasur asnjë kontakt. “Nuk ka asnjë situatë problematike në Partinë Socialiste në Durrës dhe sekretari i këshillit nuk është pjesë e Partisë Socialiste në Durrës. Për sa i përket z. Kërtusha nuk kam pasur asnjë kontakt”, është shprehur Zaza për “BW”. Kujtojmë që socialistët në Durrës prej 16shtatorit janë në një proces riorganizimi të strukturave, i cili mbyllet më 10 nëntor. Deri tani  50% e organizatave në bazë janë riorganizuar.

Ndërsa në dhjetor, PS-ja e Durrësit duhet të ketë zgjedhur kryetarin e saj. Kërtusha ka mbajtur postin e kryetarit të FRESSH Durrës për një mandat si dhe postin e Drejtorit të Përgjithshëm pranë Këshillit të Qarkut Durrës për 5 vite me radhë.



Skip to toolbar