“Berisha e Xhafaj bashkë në një rrjet interesash”, Salianji: PD ka nevojë për ndryshim! Boll më!

Më të fundit


Ervin Salianji i është përgjigjur sot kreut të PD, Sali Berisha pas deklaratave të këtij të fundit mbi ish ministrin Fatmir Xhafaj. Në një status të gjatë në rrjete sociale, Salianji akuzon për lidhje të forta politike mes kryedemokratit Berisha dhe ish ministrit Fatmir Xhafaj.

Duke iu referuar zjarrit që përfshiu pallatin 12 katësh te farmacia 10, Berisha tha se lejen e ndërtimit se dha Xhafaj, por Rama dhe Veliaj, deklaratë për të cilën në reagimin e tij Salianji thotë se mbrojtja që Berisha i bëri Xhafajt tregon se mes tyre ekziston një bashkëpunim i hershëm dhe i qëndrueshëm.

Ndër të tjera i vetëpërjashtuari nga PD, sic e konsideron kryedemokrati Ervin Salianjin, ngre shqetësime edhe për mungesën e hetimeve pasurore dhe për heshtjen politike që, sipas tij, shoqëron këto raste.

“Mbrojtja vjen nga bashkëpunimi me të njëjtët biznesmenë që ushqejnë dy autokratët: – Ramën në qeveri – Berishën në opozitë. Prandaj nuk kërkohet hetim pasuror për Xhafajn sipas ligjit antimafia. Prandaj heshtet për licencat me panele diellore dhe përfitimet direkte. Prandaj sulmohet kushdo që prek këtë rrjet e mesa duket prandaj Berisha shpif sikur une kam dashur te vras Xhafaj!” shkruan Salianji ndërsa shton se Berisha nuk është alternativë për ndryshim pushteti, por fytyra tjetër e të njëjtës medalje!

Postimi i plotë:

Mbrojtja që Sali Berisha i bëri sot Fatmir Xhafajt nxori në dritë atë që shumëkush e dyshonte prej kohësh: lidhjet e tyre janë të vërteta dhe të thella.
Përgjegjësit kryesorë për korrupsionin dhe pallatet pa standard janë Edi Rama dhe Erion Veliaj. Por të shmangësh rolin e Xhafajt nuk është thjesht devijim dhe tymnajë, por është mbrojtje e qëllimshme.
Faktet janë aty:
– firma e Xhafajt si ministër i Brendshëm për dakordësinë e projekteve tek pallatet e Lilos, tek ish-policia bashkiake
– pallatet e Lilos në gjysmën e Tiranës
– dhe mbi të gjitha: dhëndri i Xhafajt që jepte lejet e ndërtimit si drejtor në bashki!
Sot, pavarësisht se në shkelje të ligjit ai përfituar nga “Lubia” licenca për park energjetik, PD hesht, ashtu siç hesht për mosnisjen e hetimit pasuror ndaj Xhafajt në zbatim të ligjit antimafia apo siç i bashkohet në nismat për kontrollin punëtor-fshatar nëpër gjykata! Ashtu sic heshten dhe rrudhën buzët kur denoncoja katet pa leje para pallateve!
Kjo nuk është rastësi.
Kjo është skemë.
Disa përpiqen ta justifikojnë: “e mbron Xhafajn se kanë qenë bashkë në Partinë e Punës.”
Jo miq, kjo është shumë më e thellë.
Mbrojtja vjen nga bashkëpunimi me të njëjtët biznesmenë që ushqejnë dy autokratët:
– Ramën në qeveri
– Berishën në opozitë
Prandaj nuk kërkohet hetim pasuror për Xhafajn sipas ligjit antimafia.
Prandaj heshtet për licencat me panele diellore dhe përfitimet direkte.
Prandaj sulmohet kushdo që prek këtë rrjet e mesa duket prandaj Berisha shpif sikur une kam dashur te vras Xhafaj!
E vërteta është e thjeshtë dhe e hidhur:
Sali Berisha nuk është alternativë për ndryshim pushteti, por fytyra tjetër e të njëjtës medalje!
Është mekanizëm mbajtjeje në pushtet për Edi Ramën.
Dhe për këtë arsye, beteja është e dyfishtë:
👉 të rrëzojmë autokratin në qeveri
👉 të largojmë uzurpatorin në opozitë
Pa pastruar opozitën, nuk mund të fitohet Shqipëria.
Partia Demokratike ka nevojë për ndryshim, Shqipëria ka nevojë për ndryshim! Boll më!



Skip to toolbar