Presidenti Donald Trump thotë se Irani ka rënë dakord të dorëzojë uraniumin e pasuruar, një nga pikat kyçe të mosmarrëveshjes në negociatat për përfundimin e luftës.
Sipas tij, bisedimet mund të rifillojnë që këtë fundjavë, me Uashingtonin dhe Teheranin qw ndodhen “shumë pranë” një marrëveshjeje.
Kjo deklaratë e Trump-it vjen në një kohë kur ka hyrë në fuqi një armëpushim 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit.
Duke folur në një aktivitet në Las Vegas mbi ekonominë amerikane, ai dha një nga vlerësimet më optimiste për luftën që nga fillimi i saj, duke thënë se situata “po shkon shumë mirë” dhe se pritet të përfundojë së shpejti.
Më herët, në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se Irani ka rënë dakord të mos sigurojë armë bërthamore dhe të dorëzojë atë që ai e quajti “pluhuri bërthamor”, uraniumin e pasuruar që besohet se është i fshehur nëntokë pas sulmeve ajrore SHBA-Izrael vitin e kaluar.
Duke u shfaqur i bindur për rifillimin e afërt të bisedimeve direkte, Trump tha se nuk ishte i sigurt nëse ishte e nevojshme zgjatja e armëpushimit me Iranin, i cili skadon pas pesë ditësh.
