Monika Kryemadhi, në një intervistë në Syri.tv, zbuloi se ishte informuara që në janar se SHBA ishte kundër djegies së mandateve. Ajo tregoi se një zyrtar i ambasadës i kishte shkuar në zyrë, dhe i kishte thënë se “SHBA jo vetëm që nuk do pranonte djegien e mandateve por do dilte kundër”.
“Një zyrtar i ambasadës së SHBA me erdhi në zyrë në muajin janar dhe më tha: SHBA jo vetëm që nuk do të pranojmë djegien e mandateve, por do të dalim kundër. Bojkotin e zgjedhjeve lokale jo vetëm që nuk do ta pranojmë por do të dalim kundër. Këto kanë ndodhur në muajin janar. Dhe unë i kam thënë se ende nuk kemi vendosur gjë për këto gjëra”, është shprehur Kryemadhi.
Duke u shprehur se “nuk jam bërë pishman për djegien e mandateve”, Kryemadhi sulmoi ashpër deputetët që pranuan të futen në kuvend, duke i quajtur qelbësira. “Kanë djegur 182 deputetë mandatet dhe kanë hyrë 17 qelbësira, që njëri shitet me dosjet e SHIK-ut, njëri shitet me dosje terroriste, tjetri me emër të dytë narkomani, tjetri me familjarin që ka në burg, tjetri me drogën, tjetri me korrupsionin, tjetri me tenderat etj”.
“Dhe ky është faji ynë. Dhe çfarë ndodh, njëri me Vettingun e mamit, tjetri me Vettingun e babit, një tjetër sjell një trafikant aty dhe ne nuk merremi më këtë po merremi pse u dogjën mandatet. Shumë mirë bëmë që dogjëm mandatet dhe ishte gjëja më e mirë”, tha Kryemadhi.