Bllokim i zgjerimit nga Franca? Analiza në Real Story: Ballkani do hyjë në BE

POLITIKË


Diskutimi mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa pritet përgjigjja e Francës, ka rikthyer në vëmendje tezën për bllokimin e zgjerimit të BE-së, një tezë e nxjerrë nga presidenti francez Macron që në korrik të këtij viti. Analistët në Real Story të Sokol Ballës në News 24 e kanë cilësuar këtë tezë një lajm të keq për Shqipërinë, në kohën që shpresat janë rritur më së shumti, pikërisht në kohën që edhe Franca ka nisur diskutimin me Gjermaninë për të marrë një vendim mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që vetë Bundestagu ka dhënë dritën jeshile për këtë çështje. Megjithatë, ata besojnë se negociatat do të hapen këtë vit, duke marrë parasysh se edhe Holanda, ka lënë një shteg të hapur, në pritje të vendimit francez.

Kryeredaktori i Gazeta Shqiptare Erl Murati, duke diskutuar mbi këtë temë ka deklaruar se shpreson se një tezë e tillë të mos gjejë zbatim. “Uroj që kjo të jetë një tezë që të mos zbatohet. E ardhmja e Ballkanit është në BE”, u shpreh Murati. Ndërsa analisti Eduard Zalonshnja i ftuar në emisionin “Real Story” deklaroi se Europa sot nuk është ajo e para disa viteve. Zaloshnja sqaroi se Europa dikur ka qenë më e unifikuar, ndërsa sot brenda saj kanë “lindur” parti politike skepticiste, nacionaliste, e madje edhe parti që janë ekstreme, deri në pikën që nuk pranojnë të ketë bisedime me disa shtete, siç kanë bërë me Turqinë.


“Edhe në Francë ka përballje politike të ashpra. Partia e Macron do të duhet të përballet me një sërë partish, ku mes tjerash po marrin hoc edhe partitë që janë antiemigracion. Pra, në BE vetë ka probleme. Mund të themi se edhe vende të rajonit kur kanë pritur hapje negociatash, nuk kanë qenë aq mirë. Mbaj mend se Bullgaria dhe Rumania mbaheshin si vende që janë pranuar dhe më pas u bënë disi “pishman”. Pas Brexit dhe fuqizimit të le Pen dhe partive ekstremiste kemi fazën e dytë, ku në shtete të ndryshme europiane, e nuk po diskutohet më ngadalësi, por ndërprerje të procesit të integrimit, siç ka ndodhur me Turqinë. Thanë në një moment që me Turqinë do të ndërpresim negociatat me këtë vend. Edhe Macron kishte tezën që ta shikojmë të rregullojmë BE që kemi, pastaj shikojmë. Mendoj se kjo tezë ka probleme, sepse ka vonesa të tepërta”, tha Zaloshnja, i cili u mbështet edhe nga Gledis Gjipali, i cili u shpreh se edhe Europa nuk është më ajo që ishte para 10 vitesh. “Reflektohet qëndrimi i disa shteteve që janë kundër zgjerimit apo hapjes së tregjeve”, tha Gjipali nga Lëvizja Europiane në Shqipëri. Kurse Gjergji Vurmo nga deklaroi se “nëse Franca mendon që me reformimin e BE-së të bllokojë edhe të gjithë procesin e integrimit, është një lajm shumë i keq”.

Në muajin Korrik 2019, Presidenti Emmanuel Macron është shprehur i vendosur për të bllokuar çdo zgjerim të BE-së derisa të realizohen reformat e thella brenda unionit. Pas samitit të zhvilluar në Bruksel, Macron tha: “Unë do të refuzoj çdo lloj zgjerimi përpara se të arrihet një reformim i thellë funksionimit tonë institucional.”




Skip to toolbar