Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, reagoi pak çaste pas përfundimit të protestës së radhës të banorëve të “Astirit” në Unazën e Re. Lleshaj publikon foto nga bllokimi i rrugës te Unaza e Re, ku shihet dhe ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu, që më pas u ndalua nga policia. Ministri i Brendshëm shprehet se “drejtues të PD-së u fshehën pas fëmijëve dhe grave”, duke i përdorur në mënyrë abuzive. “Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës. Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajës”, shkruan Lleshaj.
Më tej, Sandër Lleshaj shprehet se Policia e Shteti nuk do të përballet me fëmijët, ndërsa shton se nuk do të tolerohet asnjë pengmarrje e qytetit nga një grup parapolitik. “Drejtuesit e PD duhet të dinë mirë një gjë: Policia e Shtetit nuk do të përballet kurrë me fëmijët e keqpërdorur politikisht. Por, në të njëjtën kohë, ajo nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit. Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që të distancohen nga shkeljet e ligjit, që të mbajnë fëmijët larg politikës së rrugës dhe që të mos lejojnë keqpërdorimin e vetes për interesa politike”, shkruan Lleshaj.
Në fund, Ministri Lleshaj shprehet zgjidhja e problemeve nuk vjen nëpërmjet vetëgjyqësisë, që promovon PD, por vetëm në rrugë institucionale. “E drejta e tyre nuk mund të gjendet kurrë tek bllokimi i arterieve kryesore të kryeqytetit, por vetëm te rruga institucionale. Iluzioni se problemet mund të zgjidhen përmes vetëgjyqësisë, që promovon PD, është i kotë dhe i dëmshëm për të gjithë. E vetmja rrugë e arsyeshme për të zgjidhur problemet është qasja institucionale. Institucionet janë plotësisht të gatshme dhe të përgatitura për të trajtuar në rrugë ligjore problemet e qytetarëve”, shkruan Lleshaj.