Menjëherë pas publikimit të raportit final nga Komisioni i Venecias, ka ardhur reagimi i presidentit Meta i cili e lexon raportin në favor të tij. Sipas presidentit, Venecia thotë se “Presidenti nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat”. Megjithëse në raport shkruhet se përmes aktit të tij presidenti “nuk ndoqi rregullat kushtetuese duke shtyrë zgjedhjet”, Meta thotë të kundërtën, pra që nuk ka bërë asnjë shkelje të Kushtetutës.
“Si asnjëherë tjetër, Opinioni përfundimtar pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak.
Ndër konkluzionet kryesore u evidentua se:
1. Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese.
2. Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stablitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit.
3. Kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale.
4. Dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate.
5. Zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore.
Presidenti i Republikës shpreh keqardhjen që gjatë katër muajve u shpërdoruan energji që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit të shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE”, shkruan presidenti në reagimin e tij.