Autoriteti Rrugor ka përfunduar rehabilitimin e segmentit që kalon përmes Qafës së Llogarasë. Kjo ndërhyrje do të lehtësojë më tej qarkullimin e automjeteve, kryesisht gjatë sezonit të dimrit. Ndërkohë pritet që projekti të plotësohet edhe me sinjalistikën e nevojshme. Rehabilitimi ishte pjesë e marrëveshjes me Bankën Botërore.
Ministrja Belinda Balluku si dhe drejtori i ARRSH Ergys Verdho inspektuan punimet ndërsa thanë se prioritet i qeverisë në vijim është ndërtimi i një tuneli që do të lidhe Dukatin me Palasën. Bashkë edhe me aeroportin që do të ndërtohet në Vlorë, kjo zonë pritet të marrë një zhvillim të madh ekonomik në të ardhmen.