Atentat me armë në Berat për qiranë e lavazhit

AKTUALITET


Një atentat ka ndodhur në afërsi të Stadiumit të Beratit, ku tre persona kanë hapur zjarr ndaj një biznesi lavazh. Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa burime policore thanë për mediat se të tre personat në fjalë janë arrestuar në tentativë për tu larguar.

Në pranga kanë rënë Vladimir Spahiu dhe Xhoni Spahiu si dhe një person me inicialet P.S. Ata kanë qenë duke lëvizur në një automjet dhe në ecje e sipër njëri prej tyre ka qëlluar me një pistoletë tip ‘TT’ në drejtim të Lavazhit dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Por tentativa e arratisjes të këtyre tre personave ka dështuar pasi policia ka mundur t’i ndalojë në aksin Zog-Poliçan. Në automjetin me të cilin po lëviznin autorët është gjetur edhe arma që qëlluan ndaj biznesit si dhe karikatori që ishin fshehur në një çantë. Ndërkohë policia e Shtetit ka ngritur një grup hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, konflikti me armë ka nisur për qiranë e një lavazhi, pasi pronarët (babë e bir) kishin pretendime se qiramarrësit nuk paguanin në kohë. Policia tha se kanë qenë pronarët e lavazhit, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të qiramarrësve, por fatmirësisht nuk ka pasur të plagosur.



Skip to toolbar