Negociatat, Rama: Do flas me Macron, opozita punoi kundër

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama thotë se shumë shpejt do të zhvillojë një komunikim me presidentin e Francës Emannuel Macron, por edhe me drejtues të tjerë të vendeve të BE, me të cilët do të diskutojë për vijimin e procesit të integrimit të Shqipërisë, pas vendimit të samitit të Brukselit për të mos i hapur negociatat, pas kërkesës për të kryer më parë reformën brenda unionit. Kryeministri i ktheu përgjigje edhe kërkesës së Bashës për të lënë pushtetin duke dhënë dorëheqjen njëlloj si Zaev, ndërsa deklaroi se opozita nuk la gur pa lëvizur për të penguar negociatat. Ai tha se qeveria që ai drejton do të vijojë të ecë në rrugën e reformave.

“Kemi rënë dakord për faktin se vendimi i BE nuk ndryshon asgjë në trajektoren strategjike të vendit dhe në ndërkohë në ditët në vijim unë kam një sërë komunikimesh të përcaktuara në axhendë me presidentin e Francës dhe me një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar vijimësinë e procesit. Në aspektin praktik ne jemi të qartë duhet të vazhdojmë çdo ditë punën sepse edhe nëse do të kishim marrë një PO të shumëpritur, detyrat janë po ato që janë dhe pa atë PO, pra të ecim përpara me reformën zgjedhore dhe brenda vitit të miratojmë në parlament të gjitha rekomandimet e OSBE /OIDHR-it.

Nuk ka asgjë të re lidhur me kërkesën e opozitës. Ata kanë punuar shumë fort dhe nuk kanë lënë gur pa luajtur për të dobësuar procesin e negociatave, por nuk ia kanë dalë sepse ne ia kemi rritur të kapërcejmë pengesën artificiale prej 6 muajsh, duke marrë mbështetjen e kancelares Merkel dhe Gjermanisë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë marrë atë që i takonte jo si rezultat i një rezerve ndaj tyre por si rezultat i një përplasje të brendshme të fuqive të BE në tryezën evropiane.  Rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë ekuivok. Ne duam ta bëjmë Shqipërinë evropiane dhe këtë do bëjmë çdo ditë”, tha Rama.

Në lidhje me reformën zgjedhore, i pyetur nëse PS do ta votojë e vetme apo do të presë bashkëpunimin e PD-së, Rama tha se reforma do të miratohet në parlament së bashku me opozitën parlamentare dhe se PD është e ftuar të marrë pjesë në komision.

“Reformën do ta bëjmë me të gjithë ata që duan të marrin pjesë në proces dhe do ta votojmë në parlament dhe në parlament në dijeninë time ka një opozitë që është e përfshirë në komisionin e reformës zgjedhore ku ka një karrige bosh për opozitën jashtëparlamantere. Ne nuk do presim dhe brenda vitit do ta miratojmë reformën”, tha kryeministri.

Kryeministri i bëri këto deklarata në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PS-së ku ndër të tjera u diskutua edhe kërkesa e grave deputete dhe ministre të PS që gratë të bashkëdrejtojnë organizatat e PS në rrethe. Kryesia vendosi ta miratojë këtë kërkesë të tyre, pasi siç tha Rama, “në PS kur duam të bisedojmë këtë gjë e bëjmë me burrat, por kur duam të punojmë këtë gjë ua lëmë në dorë grave”./realstory.al



Skip to toolbar