Basha: Integrimin e fitojmë ne, Rama të lëshojë pushtetin

AKTUALITET


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një deklaratë, e cila u njoftua nga PD që do të ishte e jashtëzakonshme, tha se përgjegjës për mos çeljen e negociatave është Rama, dhe se vetëm PD do të bëjë të mundur ecjen e Shqipërisë drejt procesit integrues. Basha i kërkoi Ramës të ndjekë shembullin e Zaev në Maqedoni dhe të lërë pushtetin. Ai tha se vetëm “ne mund dhe do të sigurojmë mirëqenie dhe përparim drejt të ardhmes evropiane”.

“Kryeministri Zaev paraqiti dorëheqjen, i riktheu mandatin qytetarëve dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga ana tjetër qeveria jonë e cila është refuzuar nga vendet europiane, vazhdon të mos e lëshojë pushtetin, në dëm të popullit shqiptar. Ne kemi vetëm një rrugë drejt së ardhmes dhe kjo është rruga europiane.


Europa ka refuzuar Edi Ramën, jo Shqipërinë. Dështimi është i Edi Ramës, jo i Shqipërisë. Ky mesazh ka qenë më i fortë se kurrë nga Gjermania që i tha Po Shqipërisë dhe JO qeverisë përmes 9 kushteve që duhen përmbushur. Në Europë shkohet duke ndërtuar fillimisht standardet europiane në vendin tënd.

Është koha që qeveria te ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj dhe t’ia kthejë mandatin popullit shqiptar.

Me një qeveri të re, legjitime që drejton procesin e negociatave, përparimi është i mundur.

Ne na duhet një qeveri e re, një qeveri që çon vendin përpara në procesin e integrimit europian, qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Me politikat e duhura ne mund dhe do të të sigurojmë mirëqenie dhe përparim drejt të ardhmes evropiane”, tha Basha për mediat.

Si kancelarja gjermane Merkel ashtu edhe presidenti i Francës, Macron vlerësuan progresin e reformave të ndërmarrë nga qeveria shqiptare, por vendosën të shtyjnë vendimin për çeljen e negociatave pasi të reformojnë BE-në. Që të dy liderët e BE-së deklaruan se zgjerimi i Europës do të ndodhë pas reformimit të Bllokut dhe shprehën keqardhjen për mos mbajtjen e premtimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut./realstory.al




Skip to toolbar