Tryeza e Reformës Zgjedhore, PD drejt pjesëmarrjes

POLITIKË


Partia Demokratike duket se ka vendosur të marrë pjesë në tryezën për reformën zgjedhore, pasi ka zgjedhur edhe emrat e grupit të punës.

Komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore do të mblidhet mëngjesin e së enjtes. Pas publikimit të emrave nga Partia Socialiste, edhe opozita ka bërë të njëjtën gjë. Opozita ka vendosur që grupi i punës për Reformën Zgjedhore të drejtohet në nivel politik nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Nga PD, pjesë e grupit do të jenë edhe: Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Enkelejd Alibeaj, Çlirim Gjata, Endri Hasa dhe Arben Ristani. Të gjitha partitë e koalicionit do të kenë përfaqësuesit e tyre në grup pune: LSI ka caktuar 3 përfaqësues; PR dhe PDIU nga 2 përfaqësues; PAA, PDK, LZHK, PBDNJ nga 1 përfaqësues.

Gazment Bardhi deklaroi të mërkurën se opozita do të mbledhë nesër grupin e punës në selinë e PD. “Opozita është thellësisht e angazhuar me Reformën Zgjedhore. Ne kemi bërë të qartë tek Tryeza e organizuar nga OSBE që duam të japim kontributin tone për Reformën. Për këtë qëllim, nesër në orën 9:30, do të mblidhet grupi i punës së opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore’, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, duke lënë të hapur mundësinë se pas kësaj mbledhje, opozita mund të vendosë të marrë pjesë në vendin e lënë të lirë nga mazhoranca për reformën zgjedhore.



Skip to toolbar