Vetëm pak ditë pas zbulimit nga policia shqiptare të një celule terroristësh iranianë që punonin në Tiranë dhe thurnin plane për akte terroriste, Drejtori i Zyrës së Sigurisë së NATO-s, Donald Gonneville ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Ai është takuar fillimisht me Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
Në fokus të bisedimeve të takimit ishte rëndësia e unitetit të Aleancës përballë çështjeve si terrorizmi apo kërcënimet hibride. Në këtë kuadër nuk dihet nëse kanë biseduar për rastin konkret të celulës terroriste të zbuluar në Tiranë, pasi ministri Cakaj nuk zbulon shumë detaje nga takimi.
Ai shkruan në Facebook, se përmbushja e këtij synimi kërkon angazhim të shtuar të gjithë vendeve anëtare të Aleancës.
“Shqipëria do të arrijë objektivin e përcaktuar në Samitin e Brukselit për ndarjen e 2% të GDP-së për shpenzimet në fushën e mbrojtjes deri në vitin 2024.” – shkruan Cakaj.
Në përmbyllje të takimit kryediplomati shqiptar i konfirmoi z. Donald Gonneville se Shqipëria do të përqafojë përmbajtësisht çdo vlerë të Aleancës dhe do të mbetet një prej kontribueseve më madhore brenda saj.