Rusia sulmon Bushatin pas deklaratës në Real Story

#NËRADAR


Ambasada e Rusisë në Tiranë reagoi pas deklaratave të deputetit socialist në emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla, ku foli për rezolutën kundër ndërhyrjeve të huaja në Shqipëri, që po përgatitet për miratim në Kuvend. Bushati u shpreh në Real Story se “Shqipëria nuk është imune ndaj virusit rus”. Ambasada Ruse e sulmon ashpër deputetin socialist, duke e cilësuar analfabet, madje i rekomandon atij të lexojë një studim për sigurinë e informacionit, botuar në Rusi.

“Pasi kemi dëgjuar argumentet e autorit të rezolutës, z. Ervin Bushati për një farë virusi, me anë të të cilit rusët mund të “infektojnë” gjithë kompjuterët në rajonin e Ballkanit, u bindëm për analfabetizmin kompjuterik të krijuesve të kësaj “vepre”. Me këmbëngulje u rekomadojmë të lexojnë librin “Siguria Ndërkombëtare e Informacionit” të sapobotuar në Rusi të një prej specialistëve më të mëdhenj të MPJ-së ruse në këtë fushë”, shkruhet në deklaratë.

Por, sulmet e Ambsadës së Rusisë në Tiranë nuk janë vetëm ndaj Bushatit, por edhe ndaj aleatit strategjik të Shqipërisë, Shteteve të Bashkura të Amerikës. Sipas ambasadës ruse në Tiranë, sa herë që Rusia është akuzuar  për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë, sipas saj, nuk ka pasur fakte konkrete. Ajo shkruan se autoritetet shqiptare po trillojnë histori mitike për të justifikuar “përleshjet” e brendshme, ndërsa akuzon se e “gjitha kjo po ndodh nën një marrëveshje të heshtur të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

 “Sa herë që jemi akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të Tiranës, ne kemi pritur me padurim të paktën edhe një provë për këtë. Por, miqtë tanë shqiptarë nuk kanë mundur të paraqesin as edhe një provë. Është fatkeqësi që autoritet shqiptare trillojnë histori mitike për të justifikuar “përleshjet” ekzistuese në politikën e brendshme, nga të cilat ne qëndrojmë larg. Është për të ardhur keq që e gjitha kjo po ndodh dukshëm nën një marrëveshje të heshtur të Ambasadës së SHBA-ve (ah po, kjo nuk quhet ndërhyrje në punët e brendshme)”, shkruhet gjithashtu në deklaratën e Ambasadës së Rusisë në Tiranë.



Skip to toolbar