“Situata në kampet e refugjatëve në ishujt grekë është në kufijtë e një katastrofe”. Kështu është shprehur enjten Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç për gazetarët në fund të një vizite 5-ditore atje.
“Situata e emigrantëve, përfshirë azilkërkuesit, në ishujt Greke të Egjeut është përkeqësuar ndjeshëm gjatë 12 muajve të fundit. Masat urgjente janë të nevojshme për të adresuar kushtet e dëshpëruara në të cilat po jetojnë mijëra qenie njerëzore”, tha Dunja Mijatoviç.
Greqia është bërë pika kryesore e hyrjes për njerëzit që kërkojnë azil në Evropë, dhe vendi po përpiqet të strehojë mbi 70,000 emigrantë dhe refugjatë në tokën e saj.
Megjithë zhvendosjet e rregullta në kontinent, ka mbi 34,000 njerëz që jetojnë në kampe të mbipopulluara në ishujt grekë.
Mijatoviç, e cila vizitoi kampet në ishujt e Lesbos dhe Samos dhe në Corinth, tha se ajo ishte “tmerruar” nga kushtet jo higjienike në të cilat azilkërkuesit jetojnë në ishuj.
“Ekziston një mungesë e parë e kujdesit mjekësor dhe e kanalizimeve në kampet që janë shumë të mbipopulluara. Njerëzit mbajnë radhë me orë të tëra për të marrë ushqim dhe për të shkuar në banjë”, tha Mijatoviç.